Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të shmangin daljet e panevojshme nga shtëpia.
Përmes Facebook në një video-komunikim, Balluku ndau me të gjithë ndjekësit një bisedë me drejtorin e OST-së Skerdi Drenova dhe tha se vendi është nën pushtimin e një moti të keq.
Sipas Ballukut, nuk duhet kryer asnjë lëvizje e panevojshme. Ajo shtoi se stuhia do të vazhdojë deri të premten, teksa përsëriti fjalët që tha më herët, se ‘nuk ka një shkop magjik par ta ndalur’.
“Jemi përballë motit ekstrem. Stuhia do të vazhdojë deri të premten. Shiu dhe bora shpresojmë se do të ndalen, por temperatura të ulëta pritet të ketë gjatë kësaj kohe. Shteti është në këmbë. Ne nuk duam aksidente. Dilni nga shtëpia vetëm kur të jetë e nevojshme. Ne nuk kemi shkopin magjik, që të ndalojmë borën apo të ndalim çdo avari të mundshme, por ne sigurojmë që jemi në krye të punëve, tha Balluku ndër të tjera.