Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Vlora se “mandati i tretë është një mandat për të vazhduar dhe fituar betejën”.
Në një intervistë për një televizion lokal, nga Vlora Rama foli për mandatin e dytë qeverisës, si dhe arsyet pse PS meriton një mandat të tretë.
“Ky ka qenë ndoshta mandati më i jashtëzakonshëm i një qeverie në të gjitha këto vite sepse është një mandat i goditur në mes nga tërmeti dhe nga pandemia, që do të thotë që shumë nga gjërat që unë kam parashikuar kanë ndryshuar rrjedhë si rezultat i këtyre dy goditjeve”, tha Rama.
Por, vijoi ai, “mendoj se është një mandat kuptimplotë edhe për shkak të reagimit ndaj këtyre dy goditjeve”. “Sot po shikoja që Kombet e Bashkuara kishin nxjerrë një raport ku thuhej se janë mbi 140 vende që nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës. Ne nuk jemi ndër ta, pjesa dërrmuese e vendeve të rajonit janë ndër ta, dhe kjo është një arsye për të qenë të lehtësuar dhe pse jo të kënaqur, pasi nuk ka vend për të qenë të kënaqur përderisa nuk i kemi akoma tërësisht në dispozicion të gjitha dozat që na duhet për të kryer vaksinimin brenda 14 muajsh për gjithë popullatën, siç kemi ambicien”, tha Rama.
Ai theksoi se “ky mandat për mua personalisht më lë shijen e pakënaqësisë së madhe sepse nuk kemi mundur dot të bëjmë më shumë edhe për këto arsye të mëdha objektive dhe për faktin se sidoqoftë duhet bërë shumë më tepër”.
“Nëse ka dikush arsye për të na dhënë mandatin e tretë janë pikërisht ata që janë të pakënaqurit. Nuk kam parasysh këtu ata që janë me sytë top dhe mendjen tap dhe i përkasin forcave të tjera, por kam parasysh ata që janë njerëzisht të pakënaqur sepse presin shumë më tepër, duan më tepër, ndër ta unë jam më i pakënaquri”, tha Rama.
Ndaj, vijoi ai, “ju them le të shikojmë nga u nis Shqipëria që kemi sot, Vlora që kemi sot, çdo vend që kemi sot, çdo sektor që kemi sot”. “Nuk ka asnjë krahasim me çfarë kishim para 7 vitesh kur morëm detyrën, por Shqipëria që duam, Vlora që duam, sektorët siç i duam, janë ende jo ato që kemi sot. Kështu që mandati i tertë është një mandat për të vazhduar dhe fituar betejën”.
I pyetur se kujt do t’i drejtohej për koalicion pas 25 prillit nëse do të kishte nevojë për të garantuar një maxhorancë, Rama shprehu bindjen se “ne do t’i fitojmë zgjedhjet siç fituam mandatin e dytë me mjaftueshmërisht mandate deputetësh për të udhëhequr Shqipërinë”.
“Pastaj se si do të gjendet rrugë bashkëpunimi e forcave politike që kalojnë në nivel tjetër nga pikëpamja e cilësisë së bashkëjetesës politike kjo është një temë që duhet parë më tutje. Por, nëse flasim për koalicione nga halli, nga këto nuk do të ketë pasi PS nuk do të ketë asnjë hall tjetër përveçse si të çojë përpara punët”, tha Rama ndërsa tha se “më lehtëson fakti se Ilir Meta është shprehur se nuk do të bëjë kurrë koalicion me PS-në”./ATSH/