Përgjimet e fundit të dosjes 184, të publikuara në gazetën gjermane “Bild”, kryeopozitari Lulzim Basha i konsideron konfirmim të drejtësisë së kauzës dhe rrugës që ka ndjekur opozita.
Ai theksoi se të gjithë ata që kishin iluzionin për bashkëpunim demokratik me kryeministrin Edi Rama, sot duhet ta flakin tutje.
“Ata që besonin se me këtë bandë grabitqare dhe kriminale në pushtet mund të dialogohej në Kuvend, mund të bëheshin reforma me konsensus, mund të përdoreshin rrugë institucionale, sot duhet të flakin tutje edhe iluzionin e fundit, që mund të kishin për metodën e bashkëbisedimit demokratik me Edi Ramën”, u shpreh Basha.
Basha i konsideron vendime të duhura largimin nga Parlamenti dhe braktisjen e zgjedhjeve lokale.
“Sot është e qartë se largimi nga parlamenti dhe braktisja e zgjedhjeve farsë ishin vendimet e duhura. Pa asnjë mëdyshje. Qëndrimi në këtë Kuvend dhe pjesëmarrja në zgjedhje farsë do të na kthente në fasadë të pushtetit të krimit”, tha ai.
Kreu i Partisë Demokratike theksoi se “me krimin nuk mund të ketë dialog, nuk mund të ketë negociata dhe as nuk mund të bëhen lëshime.”
“Ky është standard perëndimor. Unë dhe të gjithë demokratët do t’i qëndrojmë deri në fund këtij standarti: Me krimin nuk ka negociata dhe marrëveshje”, tha Basha.
Por ndonëse përgjimet në ‘Bild’ i konsideroi konfirmim të kauzës, Basha tha se ndihet keq dhe i trishtuar nga kjo situatë.
“Ndihem keq për gjendjen ku kemi përfunduar si shoqëri, si popull. Ky është dënimi më i rëndë që mund t’i bëhet politikës, sepse një politikë që ka humbur besimin e njerëzve ka humbur çdo gjë. Së dyti, jam i trishtuar nga niveli ku ka përfunduar shteti i shqiptarëve: Sot shteti është një lukuni banditësh qëllimi i vetëm i të cilëve është plaçkitja dhe dhunimi i njerëzve, për t’u mburrur dhe gëzuar pastaj në gostitë e financuara me plaçkën e vjedhur. Në këtë shtet edhe nëse ka njerëz të ndershëm – ata dhunohen, çnderohen dhe vihen përditë para zgjedhjes fatale, ose të bëhen hajdutë për partinë ose të flaken në rrugë”, tha ndër të tjera kreu i opozitës.
Në fund, Lulzim Basha i bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 21 qershorit, të cilin e quajti manifestim për vlerat europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve./TCH/