Pjesë të një avioni Boeing u shkëputën prej tij dhe përfunduan në një zonë të banuar në afërsi të Denver, në Kolorado, SHBA.
Avioni Boeing 777, me 231 pasagjerë dhe 10 pjesëtarë të ekuipazhit në bord, arriti të ulej në aeroportin e Denverit dhe fatmirësisht nuk pati asnjë viktimë apo të dëmtuar.
Policia e qytezës Brumfilld (Broomfield) botoi edhe fotografi të copave të përfunduara në tokë, që ishin nga kasa mbështjellëse e një prej copave të avionit. Vetë udhëtarët mbi avion thanë se dëgjuan një shpëthim të madh menjëherë pas ngritjes.
Administrata Federale e Aviacionit, tha se avioni 328, i kompanisë “United Airlines”, po nisej për në Honolulu kur pësoi një defekt në motorin e djathtë.
Një udhëtar tha për AP se ndërsa piloti po fliste me ta, u dëgjua një shpërthim i madh dhe ai me bashkëshorten futën menjëherë kartat e identitetit në xhep që, në rast rrëzimi, të identifikoheshin.