Albania
Topalli: Boll me riciklim të personave që kanë provuar çdo post
Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli prezantoi sot grupin e parë të kandidatëve për deputet në qarkun e Tiranës.
Ish-kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli ka ofruar ekipin e saj të kandidatëve për deputetë në Tiranë, të cilët do të garojnë për zgjedhjet e 25 prillit.
Topalli tha se kandidatët e partisë së saj janë ndryshe nga politikanët e vjetër dhe synojnë të sjellin shpresën në Shqipëri.
“Ndryshimi nuk vjen nëse presim për një kohë tjetër, ndryshimi që kërkojmë të ndjekim jemi vetë ne. Thonë që koha i ndryshon vetë gjërat, por duhet të jemi ne vetë ta bëjmë atë”, u shpreh Topalli.
“Të bëjmë atë që kemi në dorë, në vend që të ankohemi për atë që nuk mundemi. Lëvizja për Ndryshim synon të kthehet në shpresë, jemi kundër korrupsionit të instaluar në çdo qelizë të shtetit nga tre kryetarët e tre partive”, vijoi ajo.
“Mesazhi nga Kosova apo Italia është mënyra se si bëhet politikë në botë. Boll më me riciklim të personave që kanë provuar çdo post në të kaluarën. Përtej Ramës, Bashës e Metës ka 3 milionë shqiptarë të tjerë patriotë, jo si këta që na kanë marrë peng. Ata të tre janë përgjegjësit që në Shqipëri s’ka shpresë dhe një të djathtë reale”, theksoi Topalli.
Sipas saj, ata janë përgjegjësit e polarizimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë.
“Ftesa jonë nuk është për ato që nuk ndryshojnë mendje, por ftojmë mendje hapurit, të ndershmit, çdo të ri, prind që duan t’i kthejnë dinjitetin çdo shqiptari. Kjo është lista më e mirë e tre dekadave me profesionistë të nderuar, mjekë e të rinj të shkëlqyer. Janë të pakorruptuar, dinjitozë, njerëz me kurajo”, tha Topalli.
Topalli paraqiti dhe kandidatët ku lista kryesohet nga Elida Hoxha, pedagog.
Topalli sqaroi se ditët e ardhshme, do të vazhdojë prezantimin e kandidatëve për deputetë në qarqe të ndryshme si dhe të programit.
Albania
Krimi në familje, burri dhunon gruan për vdekje, vetëvritet me pistoletë
Një 50-vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij e më pas veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Orikum të Vlorës mesditën e 2 janarit.
Sose Xhebroj mësohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, Llogora Xhebroj, 50 vjeç.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se çifti kanë pasur probleme me njëri tjetrin dhe kishin shkuar drejt divorcit, teksa janë prindër të dy djemve të rritur. Policia po heton ngjarjen.
“Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.
Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.
Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thotë policia.
Albania
Emrat/ Zbardhet vrasja, shpërthyen me telekomandë boksin elektrik ku humbi jetën Hysni Ymeri, 4 të arrestuar në Shkodër
Eshtë zbardhur ngjarja e rëndë që ndodhi në 29 dhjetor në lagjen Manush Alimani në Shkodër, ku si pasojë e shpërthimit në boksin elektrik të pallatit ku banonte humbi jetën 61-vjeçari Hysni Ymeri.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “SHADOWS”, janë arrestuar shtetasit Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “SHADOWS”. Zbardhet vrasja me lëndë eksplozive e shtetasit H. Y., e kryer më datë 29.12.2025, në lagjen “Manush Alimani”.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP Shkodër.
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit H. Y., bazuar në provat e siguruara, u finalizua operacioni policor i koduar “SHADOWS”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
-G. B., 27 vjeç
-E. I., 27 vjeç
-E. H., 25 vjeç
-Gj. Z., 24 vjeç
Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y.
Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.
Vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Shkatërrimi i pronës me eksploziv”;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim;
dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Albania
Gjykata refuzon sekuestrimin e 20 pasurive të Kristjan Boçit dhe Elman Abules
Gjykata e Tiranës, ka vendosur të mos sekuestrojë rreth 20 pasuri me vlerë gati 50 milion euro, për të cilat policia dhe prokuroria e kryeqytetit, ka pasur indicie të forta se vijnë nga aktiviteti kriminal i personave që i posedojnë ato.
Informacionet e siguruara nga gazetari Elton Qyno, tregojnë se miku i Erjon Veliaj, Elman Abule, që sot në Tiranë konsiderohet biznesmen i sukseshëm, në vitin 2004-2005, ka qënë në Belgjikë një hajdut i dhunshëm, duke përdorur çelësa të kopjuar dhe metodën e thyerjes.
Drejtoria e Interpolit në 12 shtator 2023 është informuar se Elman Abule rezulton i dënuar më datë 17 janar 2007, nga Gjykata e Antvvep, me 30 muaj burg për veprën penale të “Vjedhje me thyerje ose duke përdorur çelësa të kopjuar dhe krijim bande”, duke u dënuar ky shtetas me 2 vjet burg me kusht dhe 1 vit vit në burg për “krijim bande”.
Gjithashtu, rezulton se miku i Abules dhe ish-ortak me subjektin “Rametal” dhe shoqërinë tjetër “Ferro Chrome Holding”, ka qënë Kristian Boçi, i përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe i arrestuar në vitin 2011 në Itali, i cili njihet për lidhjet e tij dhe me persona të tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve si Eldi Dizdari.
Gazetari Qyno,ka mësuar se vendimi i mospranimit të kërkesës së prokurorisë, është dhënë pak ditë më parë nga gjyqtari i Tiranës, Altin Abdiu, i cili në fillim të muajit qershor 2025 u rikthye në funksionin e gjyqtarit nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.
Abdiu, refuzoi të sekuestrojë 20 shoqëri tregtare, dyqane, apartamente e vila me vlerë rreth 50 milionë euro, të cilat zotërohen nga Kristian Boçi, Elman Abule, mik i afërt i Erjon Veliaj, Vladimir Avramit si dhe 4 personave të tjerë të lidhur me këta persona.
Ndërkohë pritet që me zbardhjen e vendimit të gjykatës, prokuroria e Tiranës të ushtrojë Apelim në gjykatën e Apelit, duke kërkuar sekuestrimin e këtyre pasurive.
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
