Pentagoni njoftoi sot dhënien e një ndihme ushtarake në vlerën e 250 milionë dollarëve për Ukrainën, me synimin për të forcuar kapacitetet detare dhe tokësore të ish-republikës sovjetike.
“Kjo pakete e re ndihme, që e çon në 1,5 miliardë dollarë ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën që nga viti 2014, do të shërbejë për të furnizuar veçanërisht ushtrinë ukrainase me armatime dhe radarë”, thuhet në një komunikatë të Pentagonit.
“Ky bashkëpunim në planin e sigurisë është bërë i mundur nga përparimet e vazhdueshme të Ukrainës në fushën e miratimit të reformave institucionale, element kyç në aspektin e mbrojtjes, me objektivin për të përafruar Ukrainën me parimet euro-atlantike”, pohoi Departamenti amerikan i Mbrojtjes.