Kryeparlamentari Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka folur për taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake, duke thënë se kjo masë nuk e lëkund partneritetin me SHBA-në dhe.
“Taksa 100 % i ka bërë mirë Serbisë dhe ka qenë reaksion i agresivitetit që e ka sjellë Serbia. Serbia për një kohë të gjatë ka qenë tepër agresive dhe nuk e ka respektuar Kosovën”, ka deklaruar Veseli.
Kryepalamentari ka deklaruar se Serbia duhet të respektojë Kosovën si shtet të pavarur.
“Do ta bëjmë çdo ditë që Serbia ta ndjejë dhe respektojë këtë shtet tonë të pavarur dhe sovran. Çdo vendim dhe veprim yni nuk është i drejtuar kundër asnjë qytetari dhe komuniteti etnik. Të jenë të sigurt, në gjithë jetën time politike ka veç një partner për vendin dhe kombin tim – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, duke shtuar se nuk do të lejojnë dëmtimin e këtij partneriteti. Nuk do ta dëmtojmë këtë partneritet dhe as nuk do të lejojmë që dikush të na dëmtojë. Ne jemi vend perëndimor dhe vend krenar që kemi raporte të shkëlqyeshme me SHBA-të”, tha ai.
Veseli ka folur edhe për letrën e presidentit amerikan, duke thënë se nuk ka kërkesë nga Amerika për heqje të taksës.
“Letra e presidentit Donald Trump, qëndrimet e këtij ambasadori të SHBA-ve që bart qëndrimet e SHBA-ve, janë mesazhe që i marrim shumë seriozisht dhe janë mesazhe të miqësisë tonë të përbashkët, partneriteti me SHBA-të do të jetë i përjetshëm. Ka një kërkesë që t’i jepet perspektivë dhe fuqi Kosovës, në procesin e dialogut. Nuk ka kërkesë për heqjen e taksës, ka kërkesë që t’i jepet mundësi procesit të dialogut, në të cilin do të veprojmë bashkërisht”, shtoi ai.
Në fund, ai ka përmendur edhe maltertimin e kosovarëve që po u ndodh mërgimtarëve kur kalojnë kufirin serb.
“Shqetësimet e SHBA-ve do të jenë edhe shqetësimet tona. Serbia duhet ta dijë, ky vend është shtet i pavarur dhe sovran, vendimet i marrim sovrane dhe mos t’i maltretojë qytetarët tanë, një qytetar i diasporës për të kaluar nga Serbia, nëse vjen nga Maqedonia, nuk e lënë të kalojnë. Na kanë lënë diasporën tonë të presin nga 7-8 orë në mes të dimrit. Ne nuk do ta bëjmë asnjëherë një veprim të tillë, por do t’u tregojmë çdo ditë mos na ngacmoni se nuk lejojmë” tha Veseli.