Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi sot se sistemi i drejtësisë është totalisht i kapur.
E pyetur në një intervistë televizive, Kryemadhi u shpreh se, “nuk më ka pëlqyer asnjëherë sistemi i drejtësisë, që në kohën e komunizmit, ku të gjithë kemi pasur probleme në atë kohë për shkak të dy standardizimit, apo të mungesës së demokracisë, lirisë së fjalës apo edhe lirisë së ekonomisë e shumë të tjera”, tha ajo.
“Pretenduam për një reformë në drejtësi, e cila e kam thënë gjithmonë që nuk ka arritur aty ku ka qenë, edhe pse mori një votëbesim 100 % të deputetëve. Por erdhi si një rezultat i një presioni, ose si një lloj lufte bërrylash që u bë ndërmjet vetë Partisë Socialiste në atë kohë dhe strukturave të sistemit të drejtësisë”, u shpreh Kryemadhi.
“Faktikisht shikojmë se kemi një sistem drejtësie totalisht të kapur. Mjafton që të përmendim sot Prokurorin e Elbasanit, i cili është një vegël në duart e Taulant Ballës dhe nga ana tjetër vëllai i tij është kandidati i tretë në listën e Edi Ramës për deputet në Partinë Socialiste”, u shpreh ajo.
Duke iu përgjigjur një deklarate të Kryeministrit Edi Rama, kryetarja e LSI u shpreh se ajo nuk lidh njeri me zinxhirë, por me fjalën e dhënë.
“Monika nuk të lidh me zinxhirë, Monika të lidh me fjalë. Sepse për Monikën fjala e dhënë është shumë më e rëndësishme sesa zinxhirët e florinjtë që mban Edi Rama në qafë apo në duart e tij”, tha ajo.
Kryemadhi komentoi edhe listat e Partisë Socialiste të bëra publike mbrëmjen e kaluar. Ajo e cilësoi listën e PS, si një listë humbëse dhe që tregon frikën e Edi Ramës dhe një tentativë për të mbajtur peng partinë pas humbjes së 25 prillit.
“Unë lexoj frikë të Edi Ramës dhe një listë humbëse për të përgatitur kontrollin dhe mbajtjen peng të PS. Largimi i figurave si Musa Ulqini, Besnik Bare, Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi, apo i shumë e shumë grave e burrave të tjerë që janë të PS, të cilët nuk janë pjesë përbërëse e listave, tregon se Rama ka frikën për krijimin një grupi parlamentar në parlamentin e ardhshëm opozitar, të cilin kërkon ta ketë si një grup që do t’i shërbejë si një lloj negociatori për veten e tij, alibi për veten e tij, apo për të kërkuar një liri me kusht për veten e tij politike”, tha ajo.
“Nga ana tjetër, unë shikoj frikën që ka Rama nga ky grup socialistësh të vjetër, duke filluar që nga Gramoz Ruçi i pari, që për hir të vërtetës ai nuk e ka problem vendosjen në numrin 8, por sa më shumë ka të bëjë për vlerësimin dhe respektin që Rama i jep historisë së PS, figurës së Ruçit e socialistëve të tjerë, pavarësisht mendimeve personale që mund të kemi ne”, tha Kryemadhi.
“Dhe krijimi apo dalja e opozitës me dy lista i krijon shansin dhe mundësinë njerëzve për të pasur shumë alternativa për të votuar. Nëse nuk u pëlqen partia, ata mund të votojnë kandidatin. Nëse nuk u pëlqen Monika, mund të votojnë Petrit Vasilin, mund të votojnë Klajda Gjoshën, mund të votojnë Brisida Shehajn e kështu me radhë. Pra, njerëzit sot kanë mundësi për të votuar pafundësisht”, theksoi ajo./ATSH/