Në epokën dixhitale ku dukemi të bombarduar nga reklamat dhe mesazhet e shumta publicitare me të cilat kompanitë vijojnë të ndërtojnë strategjitë e tyre të marketingut për të arritur sa më shumë audiencë, gjithnjë e më tepër po ndjejmë një bezdisje kundrejt reklamave tradicionale.
Duket pra tashmë sikur reklamat nuk e kanë më fuqinë e dikurshme për të promovuar një produkt dhe në epokën e medias dixhitale gjithçka varet nga ‘hapja e shpejtë e fjalës’, pra sesa njerëzit flasin rreth tij.
Nëse shihni me vëmendje edhe në rrjetet sociale më të populluara që për momentin janë TWitter dhe TikTok, këto platforma kanë zgjedhur një distancë mjaft të kujdesshme në mënyrën se si i shfaqin reklamat për përdoruesit e tyre.
Dhe në këtë sens një strategji e re e marketingut, që po qarkullon nga njerëzit dhe kompanitë më të suksesshme në planet, është pikërisht ajo e Anti-Reklamës mishërimin e së cilës ne e shohim tek Elon Musk, bilioneri dhe sipërmarrësi, zotërues i Tesla dhe kompanisë Space X, si dhe një sërë start-upesh të tjera, që provokojnë dhe nxisin reagimin e publikut.
Kuptimi i Parimeve të Marketingut nga Musk
Koncepti i ‘anti-reklamës’ buron nga politika e Musk për ‘jo reklamë dhe jo tregti’ për kompaninë e tij motorike. Tesla shpenzon 6 dollarë për reklamimin e një makine, krahasuar me numra shumë më të mëdhenj që përdorin rivalët e tjerë shumë më luksozë.
Tesla Model 3, megjithatë, vazhdon të shesë me trefishin e konkurrencës së tij më të mirë, Serinë 3 BMW edhe pse harxhon shumë më pak për reklama.
Në këtë mënyrë një nga njerëzit më të famshëm në planet duket se ka gjetur kurën perfekte për të reklamuar produktet në kohën ku jetojmë. Njerëzit gjithmonë e më shumë duan të fitojnë kontrolin e tyre mbi përmbajtjen në rrjete sociale, duke mos u bërë pjesë e algoritmeve dhe reklamave që ‘gjurmojnë’ specifikisht vetëm interesat e tyre dhe e shohin këtë strategji marketingu si një ‘protestë’ dhe revolucion në mënyrën si ndërlidhen me njëri-tjetrin. Gjithashtu ndihen edhe më në kontroll në blerjen e një produkti.
Katër principet e anti-marketingut shpjegohen më poshtë:
- Maksimizoni mundësitë me kosto të ulët ose pa kosto fare
Mediat sociale janë një platformë reklamuese që Musk e ka maksimizuar maksimalisht. Atje, fjala përhapet lehtësisht për çdo gjë interesante që ndodh në Tesla, ose ndonjë prej ndërmarrjeve të tjera që Musk ka në duart e tij.
Nëse shikojmë lëshimin e SpaceX të raketës Falcon Heavy në 2018, mund të shohim një shembull të përsosur se si ky pronar biznesi shfrytëzon maksimalisht çdo mundësi. Ideja e Musk për të vendosur “Tesla Roadsterin” e tij në bordin e raketës ishte padyshim një veprim interesant dhe maksimizoi një burim që ai tashmë kishte në dorë.
Nisja dha mesazhin dhe vizionin e Musk me zë të lartë dhe të qartë: “Ne po shkojmë drejt së ardhmes. Duhet të vish edhe ti – me një Tesla.”
- Përpiquni të zgjidhni problemet reale
Ndërsa shumica e projekteve të Musk përpiqen të zgjidhin një problem të vërtetë, kjo është gjithashtu një nga mënyrat që e ndihmojnë atë të fitojë adhurues. Aty ku disa mund të thonë se i mungojnë aftësitë sociale, ai është në mënyrë të padiskutueshme i sinqertë në dëshirën e tij për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme të botës.
Gjatë Camp Fire 2018 në Kaliforni, për shembull, Musk ofroi tarifim falas për makinat Tesla. Ky mund të duket si një gjest i thjeshtë dhe i mirë për njerëzit në gjendje të keqe. Sigurisht, ajo gjithashtu dërgon një mesazh tjetër nëse e dini që makinat ishin të pajisura me filtra HEPA të nivelit spitalor, që i mbronte nga asfiksimi i tymit të zjarrit.
- Shkoni në Burim të Hapur
Një tjetër koncept që Musk përqafon është qasja me burim të hapur ndaj inovacionit. Burimi i hapur në thelb do të thotë që njohuritë themelore ose ‘receta’ për një produkt (shpesh një pjesë e softuerit) ndahet publikisht. Kjo është zakonisht një mënyrë për të inkurajuar bashkëpunimin dhe inovacionin.
Sistemi i Menaxhimit të Përmbajtjes ËordPress (CMS) është një nga shembujt më të suksesshëm se si mund të funksionojë në praktikë qasja me burim të hapur.
Përgjatë linjave të ngjashme, Musk ndau patentat e teknologjisë së makinave Tesla dhe premtoi se nuk do të padisë askënd që do ti përdori ato.
- Ndërtoni entuziazëm dhe mos kini frikë të vetë-promovoheni
Një gjë që Musk duket se e ka përsosur është njohja e audiencës së tij. Ai e kupton pikërisht atë që duhet për t’i bërë njerëzit të ndihen ‘të ditur’ dhe të veçantë. Të zotërosh një Tesla të bën pjesë të një komuniteti, në një mënyrë që jo të gjitha kompanitë e makinave mund ta arrijnë.
Në fakt, Tesla mburret me klientët më besnikë të të gjitha markave të makinave. Si pasojë, Musk e ka shfrytëzuar këtë besnikëri dhe vazhdon të përvetësojë artin e ndërtimit të entuziazmit me mediat sociale.
Musk gjithashtu duket se ka perfeksionuar edhe artin e vetë-promovimit. Ndërsa kjo mund të jetë e lehtë nëse keni programin tuaj hapësinor për tu mburrur, ka disa elemente të qasjes së tij që çdokush mund të replikojë. Për shembull, Musk tenton të nxjerrë vetëm fakte pa shumë ekspozime.(Burimi: Velocitize / Përshtati: Geri Kolgega)