Bregdeti lindor i Australisë është përfshirë nga reshjet e mëdha të shiut, duke shkaktuar vërshime të rrezikshme që e bën të detyrueshme zhvendosjen e banorëve nga disa zona. Uji i vërshimeve u fut nëpër shtëpi, bllokoi rrugë dhe e ndërpreu energjinë elektrike.
Në qytetin më të madh të Australisë, Sydney, autoritetet u bënë thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpi, sepse një digë e madhe është stërmbushur dhe uji ka filluar të dalë jashtë saj si dhe një tornado i vogël e goditi pjesën periferike perëndimore.
Në shumicën e bregdetit të rajonit të Uellsit të Ri Jugor, ku banon rreth një e treta e popullsisë 25-milionëshe e Australisë, tashmë është shënuar rekord i reshjeve të shiut për muajin mars. Autoritetet kanë paralajmëruar se reshjet mund të vazhdojnë edhe disa ditë, shkruan Reuters.
“Urrej ta them këtë përsëri për të gjithë qytetarët e shtetit, por nuk do të jetë javë e lehtë për ne. Shiu mund të mos ndalet deri të enjten apo të premten”, deklaroi kryeministrja rajonale e Uellsit të Ri Jugor, Gladys Berejiklian.
Deri të shtunën pasdite sipas kohës lokale, autoritetet kanë lëshuar nëntë urdhra për evakuim për rreth 15 zona shkaku i rrezikut nga vërshimet.
Pamjet e publikuara në televizione treguan dëme të konsiderueshme të vërshimeve, ku uji ka arritur deri te dritaret e shtëpive dhe rrugët ishin të bllokuara. Në një video shihet një shtëpi e tërë duke u lëvizur nga uji. Mediet lokale raportuan se pronarët e saj kanë arritur të largohen paraprakisht.