Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen kërcënoi sot se do të bllokonte eksportet e vaksinës AstraZeneca nëse Bashkimi Europian nuk merrte dërgesat e tij.
“Ne kemi mundësinë për të ndaluar të gjitha eksportet e parashikuara. Ky është mesazhi që i japim AstraZenecas, respektoni kontratën tuaj me Europën para se të filloni livrimin me vende të tjera”, deklaroi Ursula von der Leyen në një intervistë me grupin gjerman të medias ”Funke”.
“Të gjitha opsionet janë në tryezë”, shtoi ish-ministrja gjermane e Mbrojtjes në një paralajmërim të qartë, duke theksuar se udhëheqësit europianë do të bënin një vlerësim të çështjes së dërgesave javën e ardhshme.
Komisioni Europian njoftoi të enjten se do të aktivizonte një procedurë kontraktuale për të zgjidhur konfliktin me laboratorin AstraZeneca, dorëzimet e të cilit të vaksinave anti-Covid janë dukshëm më të ulëta se shifrat e planifikuara fillimisht.
Kjo procedurë parashikohet në kontratat e furnizimit me vaksina të lidhura nga BE.
Secila palë ka mundësinë t’i dërgojë një letër palës tjetër duke i ftuar ato të marrin pjesë në një proces të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që do të zhvillohet 20 ditë më vonë midis drejtuesve ekzekutivë të Komisionit Europian dhe kompanisë.
Laboratori AstraZeneca duhet të dorëzojë në tremujorin e dytë 70 milionë doza të vaksinës – përdorimi i së cilës është ende i pezulluar nga disa vende – shumë më pak se 180 milionë premtuar në kontratën e nënshkruar me BE.
Në tremujorin e parë, BE pritet të ketë marrë gjithsej rreth 30 milionë doza të AstraZeneca, përkundër 90 milionë që pritet nga grupi farmaceutik suedezo-britanik.