Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim zv.kryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Lajmin e bëri të ditur zv.kryeministri Grubi, i cili ndau edhe foto të këtij takimi.
“Kënaqësi që sot në Tiranë takova kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Rama më priti me një porosi interesante, ai në një fletë të bardhë kishte shkruar: htpps://census.stat.gov.mk”, u shpreh Grubi.
Ndërsa u shpreh i nderuar për këtë pritje vëllazërore, Grubi informoi se “diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por edhe për kontestin që muajve të fundit është riaktualizuar mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë fqinje, por pa harruar edhe temën e integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian”.
“Këmbyem mendime edhe rreth Korridorit 8, projekt ky për të cilin Rama tha se në Shqipëri është prioritet i Qeverisë pasi që është në të mirën e vendit por dhe të mbarë rajonit. Me këtë rast unë e informova kryeministrin shqiptar se edhe në Maqedoninë e Veriut po punohet në drejtim që sa më shpejt të përfundoj ndërtimi i këtij korridori”, shtoi Grubi.
Po ashtu, ai theksoi se “me kryeministrin Rama diskutuam edhe mbi rëndësinë e procesit të regjistrimit të diasporës, ku ai me këtë rast apeloi deri tek diaspora e RMV-së që sa më shumë t’i përgjigjen procesit të regjistrimit, pasi që me këtë veprim ata përmbushin një obligim moral dhe kombëtar”./ATSH/