Hetohet shefi i shërbimit sekret malazez, dyshohet se ka zbuluar të dhëna të klasifikuara

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Prokurorët në Mal të Zi kanë thënë se kanë nisur hetime preliminare rreth pretendimeve për zbulimin e informacioneve të klasifikuara nga shefi i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Dejan Vuksiq.

“Rasti është në fazën preliminare”, tha zëdhënësja e Zyrës së Prokurorit të Lartë Shtetëror në Podgoricë, Lepa Medenica.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate në opozitë dhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, Rasko Konjeviq, javën e kaluar pretendoi se Vuksiqi e ka shkelur ligjin për të dhënat sekrete dhe ka bërë kompromis me informata të klasifikuara të një vendi aleat të NATO-s duke ndarë të dhëna sekrete me anëtarët tjerë të komisionit më 19 mars.

Sipas zëvendëskryeministrit të ngarkuar me çështjet e sigurisë, Dritan Abazoviq, Vuksiqi “bëri një gabim” duke zbuluar të dhëna sekrete, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq, e mbrojti shefin e shërbimit sekret të dielën, duke thënë se gjatë takimit të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje ai ka zbuluar të dhëna nga një dokument i brendshëm e jo nga një vend anëtar i NATO-s.

Sipas disa raporteve, informacionet e klasifikuara në këtë rast kanë të bëjnë me operativët e CIA-s.

Vuksiqi u zgjodh shef i shërbimit sekret në dhjetor të vitit të kaluar, ndonëse emërimi i tij u kundërshtua fuqishëm nga opozita malazeze, e cila tha se zyrtarët e shërbimit sekret nuk duhet të jenë anëtarë të ndonjë partie politike apo të kenë kryer aktivitete politike.

Share This Article