Ylli kosovar Milot Rashica, ka vlerësuar si test mjaft të mirë ndeshjen miqësore ndaj Lituanisë, të cilën Kosova e fitoi 4:0.
Por, Rashica thotë se nuk është koha që të festohet, pasi duhet përqëndruar te ndeshja e të dielës kundër Suedisë.
Kosova e hap me ndeshjen ndaj Suedisë të dielën në Prishtinë ciklin eliminator për Botërorin 2022.
“Patëm raste të mira në pjesën e parë, ku kemi mundur të shënojmë dhe të kemi siguri më të madhe. As këtë herë nuk e deshi fati që të shënoj gol por me rëndësi është që ekipi fitoi. Kjo fitore është një motiv i madh, ishte një test i mirë në të cilin u angazhuam maksimalisht. Mirëpo, na pret një ndeshje e vështirë me Suedinë dhe duhet të bëjmë shumë më shumë për të arritur një rezultat të mirë ndaj tyre. Me rëndësi është që patëm një ndeshje të mirë por nuk kemi kohë që të gëzohemi pasi duhet të fokusohemi menjëherë te dueli që na pret me Suedinë”, ka deklaruar Rashica.
E mesfushori i Kosovës, Hekuran Kryeziu, thotë se fitorja ndaj Lituanisë është motivuese para ndeshjeve ndaj Suedisë e Spanjës.
“U ndjeva shumë mirë që u ktheva pas një kohe te Kosova pasi mungova për një periudhë të gjatë. Kjo fitore ndaj Lituanisë ishte shumë e rëndësishme pasi viti i kaluar ishte një vit i vështirë. Gjithashtu, kjo fitore na motivon për ndeshjet kualifikuese që na presin, ku jemi pjesë e një grupi shumë të fortë. Pasi e nisëm vitin me fitore të thellë, shpresoj që ky vit të jetë vit i rezultateve pozitive edhe pse grupi është shumë i vështirë. Megjithatë, nëse startojmë sikurse me këtë ndeshje, atëherë do të kemi rastin për të bërë diçka më shumë”, tha Kryeziu.