Shkolla e Gramatikës “Batley” në Angli u mbyll në momentet e fundit të premten pasi mbi 50 protestues myslimanë erdhën te hyrja e saj, për të protestuar për të dytën ditë me radhë dhe për ta kërkuar shkarkimin e një mësuesi që pretendohet se ka shfaqur para nxënësve karikatura të Profetit Muhamed.
Mësuesi që besohet se e bëri këtë veprim jeton afër shkollës ku punon. Ai është vendosur nën mbrojtjen e policisë, shkruan Daily Mail.
Drejtori i shkollës në fund mori vendim që mësimi të mos zhvillohet në objekt por përmes internetit. Para hyrjes së shkollës u panë edhe policë dhe roja private të sigurisë, përpos protestuesve.
Mohammed Hussain nga grupi “Qëllimi i Jetës”, pjesëtar i komunitetit mysliman, pranoi se e ka shpërndarë emrin e mësuesit në Facebook bashkë me një shkrim për dënimin e veprimit të tij. Sipas Hussainit, ai nuk ishte i pari që e ka publikuar emrin e mësuesit.
“Nuk e kam publikuar emrin unë i pari. Nuk ka qenë qëllimi ynë që t’i shkaktojmë ndonjë rrezik. Në fakt kërkuam vetëm protestë paqësore. S’duam që njerëzit ta shkelin ligjin, por kemi ndjenjën se nëse do të ishte diçka që e fyen komunitetin LGBT ose diçka antisemite, ai do të shkarkohej menjëherë”, tha Mohammed.
Sekretari britanik i Arsimit, Gavin Williamson, i dënoi kërcënimet me vdekje ndaj mësuesit, duke shtuar se protestat para shkollës janë të papranueshme.