Sekretari për komunitete i qeverisë britanike, Robert Jenrick, të mërkurën e mbrojti vaksinën e kompanisë AstraZeneca për Covid-19, pas vendimit të Gjermanisë për pezullimin e kësaj vaksine për personat më të rinj se 60 vjeç për shkak të shqetësimeve rreth mpiksjes së gjakut.
I pyetur se a ka nevojë që qeveria britanike ta rivlerësojnë vaksinën, ai deklaroi “Jo, s’kemi nevojë, jemi 100 për qind të sigurt për efikasitetin e vaksinës, kjo është dëshmuar me studim pas studimi, nga rregullatorët tanë të pavarur të klasit botëror dhe nga hulumtimi i fundit, për shembull, i “Public Health England”, që ka treguar se mijëra jetë të njerëzve janë shpëtuar vetëm nga fillimi i këtij viti duke iu falënderuar programit tonë të vaksinimit.”
“Njerëzit duhet të vazhdojnë tutje, ta marrin vaksinën, unë sigurisht se do ta marr, kur të më vijë koha. Është vaksinë e sigurt dhe programi i vaksinimit i Britanisë po e shpëton jetën e njerëzve në mbarë vendin çdo ditë”, shtoi ai.
Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, dhe 16 ministrat rajonalë të kësaj fushe vendosën që ta pezullojnë përdorimin e kësaj vaksine për personat nën moshën 60-vjeçare gjatë një takimi emergjent të martën.
Më herët, Kanadaja gjithashtu e pezulloi këtë vaksinë për personat nën moshën 55-vjeçare. AstraZeneca ka thënë se rregullatorët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se përfitimet e vaksinës ua marrin anën rreziqeve.
Vaksina e AstraZeneca-s është në mesin e vaksinave më të përdorura në Perëndim dhe është pjesë e programit COVAX për furnizimin e vendeve të varfra me vaksina për Covid-19. Me këtë vaksinë është furnizuar edhe Kosova.