Televizioni shtetëror spanjoll ia shkroi emrin Kosovës me shkronja të vogla gjatë transmetimit direkt, por himni i Kosovës u lejua të transmetohej në atë televizion.
Deputetja katalonase, Miriam Nogueras ka reaguar në Twitter duke thënë se partia “Junts per Catalunya” (shqip. Së bashku për Kataloninë) po e organizon një peticion për drejtorin e televizionit publik që të dëshmojë para kongresit rreth këtij rasti.
Ajo gjithashtu tha se i pëlqeu apo jo qeverisë spanjolle, Kosova është e lirë dhe shtet i pavarur dhe duhet të trajtohet si e tillë.
“Duke pasur parasysh mbulimin e njëanshëm të lajmeve të ndeshjes së mbrëmjes, “Junts per Catalunya” po regjistron një peticion duke thirrur kryetarin e TV Publik Spanjoll për të dëshmuar përpara Kongresit. Pavarësisht nëse e pëlqen apo jo qeveria spanjolle, Kosova është një vend i lirë dhe i pavarur dhe duhet të trajtohet si i tillë”, tha Nogueras.