Afro 15 milionë doza të vaksinave kundër COVID-19 të kompanisë Johnson & Johnson, janë shkatërruar nga një kontraktues, duke shkaktuar potencialisht vonesa në vaksinim në SHBA.
Punonjësit në një fabrikë në Baltimore që po prodhojnë dy vaksina kundër koronavirusit, aksidentalisht kanë përzier përmbajtjen e vaksinave disa javë më parë, duke bërë të papërdorshme 15 milionë doza të vaksinës së Johnson & Johnson dhe duke detyruar rregullatorët të shtyjnë autorizimin e linjës së produktit për fabrikën, raporton “The New York Times”.
Fabrika drejtohet nga Emergent BioSolutions, një prodhues që ka partneritet si me Johnson & Johnson ashtu edhe me AstraZenecan, kompaninë britaniko-suedeze, vaksinat e të cilës ende nuk janë autorizuar në SHBA.
Autoritetet federale në SHBA ia kanë lënë fajin një gabimi njerëzor.
Ky gabim ka shkaktuar vonesa në dërgesa të vaksinave të Johnson & Johnson, ndërsa Agjencia e SHBA-së për Barna e Ushqime është duke e hetuar incidentin. Johnson & Johnson ka bërë lëvizje për të forcuar kontrollin e saj mbi punën e Emergent BioSolutions, që të mos përsëritet një gabim i tillë.
Zyrtarë të shëndetësisë në administratën e Joe Bidenit, përfshirë edhe disa që gjenden në Shtëpinë e Bardhë, kanë qenë në dijeni për gabimin e bërë qysh dy javë më parë, raporton “Politico”.