Presidenti rus Vladimir Putin të hënën ka nënshkruar një ligj që i lejon atij të mbajë potencialisht pushtetin deri në vitin 2036, një veprim që zyrtarizon ndryshimet kushtetuese të miratuara në votimin popullor të vitit të kaluar, njofton AP.
Votimi kushtetues i 1 korrikut përfshiu një dispozitë që rivendos kushtet e mëparshme të Putinit, duke e lejuar atë të kandidojë për president edhe dy herë më shumë. Ndryshimi u vulos nga legjislatura e kontrolluar nga Kremlini dhe ligji përkatës i nënshkruar nga Putini që u postuan të hënën në një portal zyrtar të informacionit ligjor.
Presidenti 68-vjeçar rus, i cili ka qenë në pushtet për më shumë se dy dekada – më shumë se çdo udhëheqës tjetër i Kremlinit që nga diktatori sovjetik Josef Stalin – ka thënë se ai do të vendoste më vonë nëse do të kandidonte përsëri në vitin 2024 kur mandati i tij aktual gjashtë-vjeçar mbaron.
Ndryshimet kushtetuese gjithashtu theksuan përparësinë e ligjit rus mbi normat ndërkombëtare, shpallën të jashtëligjshme martesat e të njëjtit seks dhe përmendën “besimin në Zot” si një vlerë thelbësore. Ligjvënësit rusë kanë modifikuar në mënyrë metodike legjislacionin kombëtar, duke miratuar ligjet përkatëse.