Një bombë ka shpërthyer në një hotel luksoz në Quetta të Pakistanit, duke shkaktuar vdekjen e 5 personave dhe plagosjen e 12 tjerëve, raporton BBC.
Talebanët pakistanezë kanë thënë se janë prapa sulmit në parkingun e veturave në hotelin “Serena”, ku ishin shënjestruar zyrtarët policorë dhe zyrtarët tjerë.
Zëdhënësi i talebanëve ka përshkruar sulmin që është shkaktuar me një veturë të mbushur me eksploziv. Atentatori ka vdekur në sulm.
Filimisht është raportuar se shënjestër ishte ambasadori kinez Nong Rong. Mësohet se ai ishte në Quetta, por nuk ishte në hotel në momentin që ndodhi sulmi të mërkurën.
Talebanët e Pakistanit nuk e kanë përmendur ambasadorin kinez në deklaratë.
Mësohet se vetura shpërtheu në parkingun e hotelit, duke u përhapur flakët më pas te veturat tjera. Dy anëtarë të stafit të sigurisë ishin në mesin e të vdekurve. Në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje të zjarrit pas sulmit.
Të enjten, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, ka thënë se Kina dënon sulmin me bombë dhe është e trishtuar me viktimat. Ai ka thënë se nuk ka të vdekur të raportuar në mesin e delegacionit kinez.