Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndalesën e radhës e pati në qytetin e Lezhës. Në fjalën e tij para lezhjanëve, Basha bëri thirrje që të gjithë shqiptarët të dalin të votojnë numrin 9 ditën e diel që të sjellim ndryshimin që Shqipëria ka nevojë.
Kreu i opozitës gjithashtu ju drejtua dhe punonjësve të administratës i cili u kërkoi të mos kenë frikë dhe të dalin të votojnë për ndryshimin, pasi ka ardhur ora që t’i kthejmë Shqipërinë shqiptarëve.
Fjalimi i Bashës:
Mirë se ju gjej vëllezër e motra lezhjane e lezhjan! Mirë se ju gjej rini e Lezhës, nëna dhe baballarë. Mirë se ju gjej në qytetin e besëlidhjes së Kastriotit ku princat shqiptarë u bashkuan e përmes bashkimit i dha në fuqi, lavdi dhe fitore Arbërisë e nuk e lan të fikët vatrën e shqiptarisë. Ja ku jemi prapë sot stërnipa të këtyre princave, bashkë për ndryshim. Të vendosur me zemrat plot besim se fitorja që po vjen do të jetë fitorja më e thellë, më e bukur, më e madhe, fitorja e çdo lezhjani e çdo lezhjaneje, fitorja e çdo shqiptari. 8 vite nëpërkëmbje, vuajtje dhe mjerim. 8 vite padrejtësi, varfëri. 8 vite shpunësim dhe emigracion. Këto janë veprat e atij që për 8 vite nuk mbajti një fjalë, nuk mbajti një premtim, që nuk dha asgjë por vetëm mori nga Lezha dhe nga mbarë Shqipëria. Orët e së keqes po numërohen mbrapsht. Ora për t’ia kthyer Lezhën lezhjanëve po vjen. Ora për t’ia kthyer Shqipërinë shqiptarëve po afron dhe kjo do të ndodhë me votën tuaj masive ditën e Diel, 25 Prillin e ndryshimit duke votuar numrin 9. Për Lezhën, për prindërit tanë, për fëmijët e Lezhës, për zhvillimin, për fermerët, sipërmarrjen, peshkatarët, për ti dhënë fund monopoleve të cilat kanë pasuruar një grusht njerëzish ndërkohë që kanë zhytur në mjerim një popull të tërë, për ti dhënë fund masave si moratoriumi korruptiv për gjuetinë i cili ishte licenca për kanabizimin e Shqipërisë dhe sot është monopol i pushtetarëve. Do ta anulojmë dhe do t’ia kthejmë shqiptarëve të drejtat që ju takojnë në mbrojtje dhe në përputhje të plotë me parimet perëndimore, europiane të rruajtjes së faunës dhe florës. Do t’i kthejmë lezhjanëve, kurbinasve dhe mirditorëve krenarinë dhe dinjitetin që ju takon. Njerëz fisnikë, njerëz punëtorë, që kanë të gjitha mundësitë të jetojnë me nder dhe dinjitet në këtë trevë të lashtë të pasurisë kombëtare që sot i ka të gjithë mundësitë të jetë Lezha e Shqipërisë, Lezha e Kosovës, Lezha e Ballkanit, Lezha e Europës. Sepse nga Lezha ka nisur një histori e madhe, një histori e pathyeshme, e cila shndrin edhe sot 6 shekuj më vonë. Ne jemi stërnipërit e Kastriotit, ne jemi shqiptarët, ne jemi populli të cilit i takon ky vend nga Shëngjini në Velipojë, nga Shkodra në Sarandë, nga Durrësi në alpe nuk është i Edi Ramës, nuk është i oligarkëve, ky është vendi ynë, kjo është Shqipëria jonë, kjo është Lezha e juaj dhe e juaja do të kthehet me 25 prill. Dy ditë, dy ditë e 10 orë, e keni në dorë ju vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, të rinj e të reja të mrekullueshëm, votues për herë të parë, është në dorën tuaj, votoni për prindërit tuaj, ju o prindër është në dorën tuaj, votoni për të ardhme e fëmijëve tuaj dhe ne zgjidhim së bashku sfidat dhe problemet e përbashkëta. Të gjithë bashkë në kutitë e votimit duke votuar të dielën numrin 9. Cilin numër? 9 për të çliruar Lezhën nga korrupsioni dhe bandit, 9 për t’i kthyer edhe administratën shtetërore, dinjitetin e munguar. Sot, kam një thirrje për çdo punonjës të administratës që paguhet me taksat tona dhe që kërkon t’i shërbejë ligjit dhe qytetarëve por është skllavëruar nga padronët e tyre që pasurohen çmendurisht duke vjedhur taksat e shqiptarëve. Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj të administratës publike. Harrojini tamtamet e atij që e di që me 25 prill ditën e diel e pret humbja më e thellë dhe Shqipërinë fitorja më e madhe. Asnjë frikë për ju. Me 25 prill ne do të largojmë vargonjtë që ju kanë skllavëruar, padronët që ju shfrytëzojnë deri në palcë për bukën e gojës së fëmijëve tuaj. Ata që mbahen me taksat e shqiptarëve dhe ju që do të keni mundësinë të shërbeni me nder, ligjit dhe qytetarëve. Policia e shtetit, forcat e armatosura, mësuesit, mjekët, infermierët, të gjithë ata që duan të shërbejnë dhe të gjithë ata që do të shërbejnë qytetarëve dhe ligjit, masivisht drejtë kutive të votimit, krah për krah. Marshojmë krah për krah për fitoren më të thellë, për fitoren më të thellë, për fitoren më të bukur, fitoren e çdo shqiptari. Për 11 orë, për 11 orë do të mbyllet zyrtarisht fushata. Ky turë i mrekullueshëm shprese dhe besimi që i ka mbushur zemrat e nënave tona, të motrave tona, të vëllezërve dhe të baballarëve tanë me shpresën dhe besimin për fitoren e sigurt, të madhe dhe të thellë që po vjen. Por puna do të vazhdojë, puna do të vazhdojë orë e minutë që ky gëzim i brendshëm i zemrave të kombit tonë, i zemrave të baballarëve dhe nënave tona të kthehet në oqeanin e votave për ndryshim në kutitë e votimit, në kutitë e votimit, masivisht në kutitë e votimit me Lezhën në zemër për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për familjet tuaja, për mirëqenien, për të rihapur bashkë pas 8 vitesh dështime portën e bashkimit europian, festimit tonë, misionit tonë hyjnor dhe për t’i kthyer Lezhës gëzimin, buzëqeshjen e rinisë, të asaj që është sot këtu dhe nuk do ta lëmë të largohet në dëshpërim por do ta arsimojmë e punësojmë e t’i bëjmë të mundur të themelojë këtu pranë prindërve të tyre, familjet e tyre, fëmijët e tyre. Ta mbushim Lezhën, ta mbushim gjithë këtë trevë fisnikë dhe gjithë Shqipërinë edhe njëherë me zërin e foshnjave të porsalindura, mbesa dhe nipër për gjyshërit tanë, punësim për të rinjtë tanë, pensione dinjitoze për prindërit tanë, Shqipëri të ligjit, të sigurisë, të drejtësisë, të ekonomisë. Kjo n a ka bërë bashkë, bashkë si asnjëherë tjetër, bashkë si princat e Kastriotit, në besëlidhjen e Lezhës. Bashkë për ndryshim. Votoni numrin 9-të masivisht! Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë Lezhën! Fitore!