Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri publikoi sot në rrjetet sociale video dhe foto nga stërvitja e përbashkët ushtarake “Defender Europe 21”, që ka nisur prej disa ditësh në Shqipëri.
Në video shihen momentet nga manovrat ushtarake për evakuimin e ekuipazhit nga mjetet ujore të përfshira nga zjarri.
“Anija ushtarake e furnizimit logjistik “James A. Loux” zhvilloi fundjavën e kaluar disa manovra ushtarake dhe stërvitje në Detin Adriatik pranë Durrësit”, thekson Ambasada e SHBA.
“Trajnimi i ekuipazhit përfshinte një stërvitje për shuarjen e zjarrit dhe evakuimin e njerëzve. Një varkë shpëtimi u nis nga anija për të rimarrë një anëtar të ekuipazhit”, shton Ambasada amerikane.
“LSV James A Loux” është në Portin e Durrësit për të marrë pjesë në stërvitjen ushtarake Defender Europe 21 si pjesë e operacionit të përbashkët për të transportuar automjete dhe pajisje ushtarake nga USNS Bob Hope në Shqipëri”, shkruhet në mesazhin e Ambasadës së SHBA.