Pas ndeshjes miqësore kundër Uellsit e cila përfundoi me barazim 0-0 në Cardiff, trajneri i Shqipërisë Edi Reja foli për sfidën ku vuri në dukje punën e mirë që bëri skuadra në mbrojtje dhe sigurisht veçoi sulmin dhe kundër-zbritjen si aspektet që Shqipëria duhet të korrigjojë.
“Më pëlqeu shumë sjellja e skuadrës. Erdhëm këtu me një dëshirë të madhe për të treguar aspektin karakterial. Vuajtëm në pjesën e dytë, sepse ata futën një sulmues të fortë fizikisht dhe luajtën me topa të gjatë. Në pjesën e parë luajtëm mirë, por vuajtëm pak në sulm. Uellsi është skuadër shumë e fortë. Ishim shumë mirë në pjesën mbrojtëse, por duhet të jemi më të shpejtë dhe më të saktë në kundërsulm. Në pjesën e parë bëmë mirë, por në pjesën e dytë vuajtëm pak. Kur skuadrat kundërshtare bëjnë presing dhe zhbalancohen duhet t’i godasim. Në pjesën e dytë duhet të jemi shumë të aftë në kundërsulm. Paraqitja mbetet pozitive”.
Trajneri i kuqezinjve vlerësoi punën e bërë nga të katër sulmuesit teksa tha se Selmani bëri një paraqitje shumë të mirë dhe se ekipi fitoi një lojtar të ri në perspektivë.
“Më pëlqyen të gjithë. Seferi pati pak hapësira, por luftoi shumë. Balaj luajti mirë në pjesën e parë. Manajn me topin është shumë i mirë, është nga sulmuesit më të mirë që kemi. Në përgjithësi më pëlqyen të katërt sulmuesit. Dua të nënvizoj edhe faktin se Selmani, ishte debutues, por bëri paraqitje shumë të mirë. Gjetëm një lojtarë të ri që mund të na shërbejë në perspektivë. Në aspektin taktik të gjithë mbrojtësit bënë mirë. Sigurisht mund të kemi bërë ndonjë gabim të vogël në dalje, por në përgjithësi kemi bërë mirë.. Gabimi i vetëm ishte vuajtja në pjesën e kundërsulmit. Në aspektin karakterial treguam gjëra të mëdha”.
Në fund Reja e kaloi me shaka edhe incidentin ku u përplas nga Manaj dhe u rrëzua në fushë.
“Ishte një incident loje dhe unë jam pjesë e lojës, janë gjëra që ndodhin gjatë ndeshjes. Në aspektin fizik tregova gjendje të mirë. Duhet të përmirësohemi dhe të bëjmë më pak gabime. Kemi një skuadër shumë bujare. Me skuadrat e këtij niveli po luajmë si të barabarta”, tha ai.