Nën afatin kohor të diktuar nga Kushtetuta suedeze, kryeministri i shkarkuar tani ka një javë kohë për të vendosur nëse të thërrasë mbajtjen e zgjedhjeve të reja apo t’i kërkojë kryetarit të Parlamentit që ta emërojë një Qeveri të re. Lofven ka theksuar se dëshiron “që të mendojë për pak kohë”, por “jodomosdoshmërisht gjithë javën” për të vendosur rreth hapit të ardhshëm
Stefan Lofven, kryeministri socialdemokrat i Suedisë që nga viti 2014, ka humbur të hënën mocionin e votëbesimit në Parlament, duke u bërë i pari lider në historinë e vendit që shkarkohet nëpërmjet mocionit.
Zhvillimi ka krijuar paqartësi të reja politike në vendin skandinav, pas zgjedhjeve të fundit të 2018-s që gjeneruan një bllokadë në Parlament dhe pas disa muajsh negociata për krijimin e një Qeverie.
Nën afatin kohor të diktuar nga Kushtetuta suedeze, kryeministri tani ka një javë kohë për të vendosur nëse të thërrasë mbajtjen e zgjedhjeve të reja apo t’i kërkojë kryetarit të Parlamentit që ta emërojë një Qeveri të re. Lofveni ka theksuar se dëshiron “që të mendojë për pak kohë”, por “jodomosdoshmërisht gjithë javën” për të vendosur rreth hapit të ardhshëm.
Qeveria e tij e koalicioni socialdemokrat me të Gjelbrit është varur nga votat e Partisë së vogël Majtiste për kalimin e ligjeve. Mocioni i mosbesimit për Qeverinë e Lofvenit ishte thirrur nga Partia nacionaliste Demokratët e Suedisë, porse ka dalë i suksesshëm shkaku që Partia Majtiste ka tërhequr mbështetjen e saj nga Qeveria si rrjedhojë e një ligji të propozuar për lirimin e qirave banesore. Ligjvënësit kanë rrëzuar Qeverinë e Lofvenit me 181 vota për, 109 kundër dhe 51 abstenime.
Partia e Majtë ka njoftuar se ka humbur besimin në Lofvenin shkaku i propozimit për t’i hequr kontrollet e qirasë për pronat e porsandërtuara.
Suedia ka rregullime strikte për qiratë që synojnë t’i menaxhojnë çmimet e përballueshme në qytetet më të mëdha. Megjithëkëtë, një gjë e tillë i bën zhvilluesit e pronave më pak të vullnetshëm për të investuar në ndërtimin e shtëpive të reja për tregun e qirave. Njerëzit që duan të marrin më qira një shtëpi mund të presin me vite të tëra për një kontratë, ndërsa blerja e pronave është bërë përherë më e vështirë sherri i çmimeve në ngritje për patundshmëri.
Pavarësisht kësaj, Partia Majtiste druan se çrregullimi në tregun e qirave mund të shpjerë drejt rritjes së shpejtë të çmimeve dhe ndasive më të thella midis të pasurve dhe të varfërve.
Pas votimit, 63-vjeçari Lofven ka thënë se pavarësisht asaj që ndodh, ai dhe partia e tij do të jenë të gatshëm që të bartin përgjegjësinë për udhëheqjen e vendit.
“Përqendrimi im ka qenë dhe përherë do të jetë në të mirën e Suedisë”, ka theksuar ai.
Gjatë fundjavës, Lofveni ka mbajtur takime të minutës së fundit në përpjekjen për ta siguruar shumicën në Parlament rreth reformave të propozuara të tija për qiranë. Të dielën, ai është zotuar që t’i zbusë reformat, duke i ftuar organizatat e pronarëve dhe qiramarrësve për bisedime.
Megjithëkëtë, liderja e Partisë së Majtë, Nooshi Dadgostar, ka thënë se partia i përmbahet vendimit për ta kundërshtuar Lofvenin dhe ka specifikuar se përpjekjet e tij përbëjnë “një shfaqje politike”.
“Kemi bërë diçka që perceptohet të jetë e pazakontë në politikë… e kemi mbajtur fjalën tonë”, ka thënë ajo. Iniciativa e partisë është mbështetur nga tri subjektet e tjera politike, përfshirë demokratët e Suedisë, një parti kjo djathtiste populiste me të cilën partitë e qendrës përgjithësisht refuzojnë të bashkëpunojnë shkaku se e konsiderojnë si ekstreme.
Demokratët e Suedisë kanë rezultate të kënaqshme në votimet e 2018-s, duke siguruar 17.6 për qind të votave, kryesisht shkaku i qëndrimeve që e kundërshtojnë emigracionin. Më 2015, Suedia me popullatë prej 10 milionë banorësh kishte pranuar numër rekord prej 163.000 refugjatëve – shifër kjo më e larta për kokë banori mes vendeve evropiane. Partia populiste u bë e treta më e madhe në Suedi, pas zgjedhjeve të 2014-s.
Zgjedhjet e vitit 2018 prodhuan një përbërje të përzier parlamentare, pasi që partitë e bllokut majtist dhe të qendrës së djathtë siguruan rreth 40 për qind të votave, akëcila. Në janarin e 2019-s, ligjvënësit suedezë e miratuan Qeverinë e shumicës të Lofvenit, duke i dhënë fund bllokadës politike prej më se katër muajsh.