Përzgjedhësi i Portugalisë, Fernando Santos, i ka gjetur dobësitë në ekipin e Belgjikës. Mirëpo, ai nuk e ka ndërmend t’i tregojë askujt se cilat janë ato.
Belgjika i fitoi tri ndeshjet e fazës së grupeve në “Euro 2020” për t’u kualifikuar në 1/8 e finales, ku do të përballet me kampionen në fuqi të Evropës, Portugalinë, të dielën. Santos e lavdëroi Belgjikën, por tha se ekipi gjithashtu luftoi, veçanërisht në fitoren me përmbysje ndaj Danimarkës, kur ekipi më i ranguar në ranglistën e FIFA-s u limitua në vetëm gjashtë tentime.
“Unë nuk do të flas për dobësitë e tyre tani, sepse nuk dua që ata ta dinë se çfarë po mendoj”, insistoi portugezi Santos. “Por ka gjëra që ne mund të eksplorojmë. Ndeshja kundër Danimarkës tregoi disa nga dobësitë e tyre”.
Belgjika hapi Evropianin me një fitore të rehatshme 3:0 kundër Rusisë dhe më pas iu deshën gola të vonshëm për të mposhtur Finlandën 2:0 në ndeshjen e saj të fundit në grup. Ndërsa në ndeshjen e dytë Belgjika u djersit shumë për ta mposhtur Danimarkën me rezultatin 2:1, pas disavantazhit.
Vetëm Belgjika, Italia dhe Holanda i fituan të gjitha ndeshjet në fazën e grupeve në “Euro 2020”. Portugalia e kaloi grupin me vështirësi të mëdha, pasi e regjistroi një fitore, një humbje dhe një barazim. Mirëpo, Portugalia ishte pjesë e një grupi shumë të vështirë, i cili përbëhej nga Franca, Gjermania dhe Hungaria.
“Belgjika ka shumë pika të forta, veçanërisht njohuritë që belgët kanë për njëri-tjetrin pasi janë së bashku për një kohë shumë të gjatë”, tha Santos. “Gjithçka rrjedh natyrshëm. Ata tashmë e dinë se ku janë të gjithë në fushë pa pasur nevojë të mendojnë për këtë.”
Santos tha se aftësia e Belgjikës për të përdorur formacione të ndryshme gjatë ndeshjes mund të përbëjë gjithashtu një sfidë të madhe për Portugalinë. Mirëpo, shtoi se edhe këtë e ka parasysh shumë mirë.
“Ata mund të shkojnë me një sistem sulmues 3-4-3, ose të sulmojnë me pesë lojtarë. Gjithashtu mund të përshtaten edhe me sistemin 3-4-1-2. Pra, të gjitha këto i kam parasysh dhe e di shumë mirë që do të jetë vështirë”, shtoi ai. “Me një fjalë, Belgjika është ekip që pëlqen të sulmojë vazhdimisht”.
Santos pritet të ketë në dispozicion mesfushorin Danilo për ndeshjen në stadiumin “La Cartuja”, i cili në barazimin 2:2 kundër Francës u detyrua të zëvendësohej në pjesën e parë pas përplasjes me portierin kundërshtar Hugo Lloris. Mbrojtësi i krahut të djathtë, Nelson Semedo, i cili gjithashtu u zëvendësua ndaj Francës për shkak të lëndimit, pritet të jetë i gatshëm për duelin me Belgjikën. Semedo stërviti të enjten me pjesën tjetër të ekipit dhe nuk pati ndonjë telash, tregoi Santos.
Te Portugalia është kthyer edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Nuno Mendes, i cili ishte dëmtuar dhe po stërvitej veçmas nga grupi.
Portugalia përsëri do të udhëhiqet nga kapiteni Cristiano Ronaldo, i cili është vetëm një gol larg nga thyerja e rekordit për gola në futbollin ndërkombëtar. Ai tashmë ka shënuar pesë gola në tri ndeshje për Portugalinë në “Euro 2020” duke e barazuar rekordin me ish-sulmuesin e Iranit, Ali Daei, që ka realizuar 109 gola.