Gazetarja turke Sirin Payzin ka komentuar vendimin e qeverisë shqiptare për të blerë dronë ushtarakë nga Turqia për të përmirësuar sigurinë kombëtare.
Ndërsa ka ndarë shkrimin e gazetës pro qeveritare turke “Yeni Safak” lidhur me këtë zhvillim ajo pyet.
“Kundër kujt po planifikoni t’i përdorni? Me çfarë lloj rreziku mund të përballet Shqipëria?”
Më tej ajo vazhdon: “A do ta konsideronte (Shqipëria) edhe blerjen e S-400 (sistemi i mbrojtjes raketore) nga Turqia?”
Parlamenti shqiptar ka planifikuar 8,2 milionë euro për blerjen e mjeteve ajrore të armatosura dhe të telekomanduara.
Interesi për dronët “Bajraktar” u konfirmua këtë muaj nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Ministri Çuçi deklaroi pas vizitës në fabrikën e kompanisë turke se Shqipëria synon t’i përdorë mjetet për qëllime civile ose ushtarake.
Dronët e modelit “Bajraktar TB2” shfrytëzohen kryesisht për arsye taktike, për mbikëqyrje, për misione zbulimi ose në konflikte të armatosura.
Mjetet peshojnë më pak se 350 kg, me përmasa 6,5 me 12 metra gjerësi dhe mund të armatosen me predha të ndryshme për një distancë rreth 150 kilometra nga stacioni i komandimit.
Në buxhet, ndërkohë, janë parashikuar edhe investime të përbashkëta shqiptaro-turke në projekte infrastrukturore kyç, si Unaza e Madhe e Tiranës dhe Teatri Kombëtar.