Anglia pritet të kalojë në një periudhë pa masa ligjore kundër COVID-19, ku qytetarët do të kenë të drejtën të ushtrojnë “përgjegjësitë e tyre personale” kur bëhet fjalë sidomos për vendosjen e maskës, ka deklaruar sekretari i Strehimit, Robert Jenrick.
Në një intervistë për BBC-në, Jenrick ka thënë se njerëzit do të kenë mendime të ndryshme sa i përket mbajtjes së maskës, mirëpo ka shtuar se ai beson që ata do të “kenë vlerësim të drejtë” në këtë aspekt.
Ai ka thënë ndërkohë edhe në një intervistë për Sky News se ai personalisht nuk do të zgjidhte të mbante maskë.
Në Britani të Madhe parashihet që të largohen të gjitha masat e deri tanishme anti-COVID, nga 19 korriku.
Komenti i Jenrcikut ka ardhur vetëm pak ditë pasi mjekët në Angli kanë paralajmëruar se disa masa, duke përfshirë këtu edhe detyrimi për mbajtjen e maskës, nuk duhet të hiqen, marrë parasysh rritjen e rasteve të reja me koronavirus atje.
Mirëpo kur është pyetur lidhur më këtë, Jenrick ka thënë se falë programit të vaksinimit, duket se masat mund të hiqen dhe jeta t’i kthehet normalitetit sa më shpejt që të jetë e mundur.