Nga Jeffrey d.Sachs & Juliana Bartels
“Project Syncidate”
Kur të takohen në Venecia në datat 9-10 korrik, Ministrat e Financave të vendeve të G20-ës duhet të miratojnë një plan për të imunizuar botën kundër Covid-19. I pranishëm në këtë takim, do të jetë çdo vend prodhues i vaksinave anti-Covid:Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian, Kina, Rusia dhe India.
Së bashku, këto vende prodhojnë doza të mjaftueshme, për të përfunduar procesin e vaksinimit të njerëzve në gjithë globin deri në fillimin e vitit 2022. Por bota nuk ka ende një plan për ta bërë këtë gjë. Përpjekja ekzistuese në nivel globale për të garantuar vaksinat për vendet e varfra, e njohur si nisma COVAX, ka shumë më pak mjete financiare në dispozicion, në raport me ato që i nevojiten.
Vendet prodhuese të vaksinave, e kanë përdorur prodhimin e tyre për të vaksinuar popullatat e tyre, duke kursyer edhe miliona doza të tjera. Dhe kompanitë prodhuese të vaksinave kanë nënshkruar marrëveshje të fshehta me qeveritë, për t’i shitur më mirë vaksinat përmes marrëveshjeve dypalëshe, sesa përmes COVAX me një kosto më të ulët.
Bota po dëmtohet shumë nga egoizmi i vendeve prodhuese të vaksinave, lakmia e kompanive, dhe kolapsi i bashkëpunimit qeveritar midis rajoneve kryesore të botës. Ne dyshojmë nëse ekspertë nga qeveria amerikane të jenë takuar ndonjëherë (madje edhe online) me homologët e tyre në Kinë dhe Rusi, për të planifikuar një fushatë globale të vaksinimit.
Shtetet e Bashkuara, kanë qenë më të interesuara për dërgimin e vaksinave në Tajvan, me sa duket për të poshtëruar Republikën Popullore të Kinës, sesa për të bashkëpunuar me këtë të fundit për ta mbrojtur të gjithë botën nga koronavirusi.
Shkencëtarët kanë dhënë prej kohësh alarmin se vonesa në mbulimin global me vaksina, mund të ketë efekte shkatërruese për të gjithë botën, pasi po shfaqen variante të reja që mund t’i shmangen me sukses vaksinave ekzistuese. Dhe kjo e fundit është duke ndodhur tashmë. Shkencëtarët izraelitë, kanë raportuar se vaksina Pfizer-BioNTech është vetëm 64 për qind efektive kundër variantit Delta, krahasuar me 95 për qind efektivitet kundër virusit origjinal (edhe pse 4 studime të tjera, zbuluan një efektivitet dukshëm më të lartë ).
Lajmi i mirë është se është i mundshëm një mbulim gjithëpërfshirës dhe global me vaksina anti-Covid. Nivelet globale të prodhimit, janë aktualisht shumë të larta, për të arritur brenda disa muajsh një mbulim gjithëpërfshirës për popullatën e rritur të çdo vendi.
Ajo që na duhet tani janë planet për të shpërndarë dozat e vaksinave midis vendeve në të gjithë botën, të pasura dhe të varfra qofshin, të mbështetur nga logjistika dhe financimi. Asgjë nga këto nuk është e arritshme, në rast se vendete G20-ë nuk nisin një planifikim serioz.
Për momentin nuk ka të dhëna zyrtare sistematike, gjithëpërfshirëse dhe të përditësuara mbi prodhimin e pritshëm të vaksinave në nivel mujor, sipas kompanive prodhuese dhe vendeve përkatëse. Në këto kushte, ne i kemi bazuar vlerësimet tona mbi prodhimin e mundshëm të vaksinave në muajt e ardhshëm, tek dozat aktuale të dorëzuara dhe njoftimet zyrtare të secilës kompani, kryesisht tek deklaratat për investitorët dhe njoftimet për media.
Nga ky projeksion, ne kemi hartuar një afat paraprak se kur mund të arrihet një nivel i lartë i furnizimit global me vaksina. Dështimi i COVAX, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, G20-ës dhe vendeve prodhuese të vaksinave për të bërë të njëjtën gjë, përbën një sabotim dramatike të bashkëpunimit global.
Prodhimi mujor nga të gjitha kompanitë që prodhojnë vaksina anti-Covid, të cilat kanë leje për përdorim emergjent nga OBSH dhe autoritetet rregullatore kombëtare, dhe që mund të administrohen gjerësisht midis muajve korrikut dhe dhjetor 2021, do të jetë mesatarisht rreth 1 miliard doza.
Popullsia e botës është 7.8 miliardë, ku 5.8 miliardë janë 15 vjeç e sipër. Nëse e përcaktojmë imunizimin gjithëpërfshirës në masën 80 për qind të popullsisë së rritur në secilin vend, bota duhet të synojë të vaksinojë 4.6 miliardë njerëz.
Deri më 30 qershor, në mbarë botën rreth 850 milion njerëz ishin vaksinuar plotësisht, dhe rreth 950 milion kishin marrë vetëm dozën e parë të vaksinës. Për të arritur në vaksinimin e 80 për qind të të rriturve, do të duhen edhe rreth 6 miliardë doza. Sipas modelit tonë me rreth 1 miliard doza vaksinash të dorëzuara çdo muaj dhe afro 6 miliardë doza që duhen, ne mund të arrijmë mbulimin gjithëpërfshirës me vaksinave në rreth 6 muaj, pra deri në fillimin e vitit 2022.
Shifrat e sakta varen nga kombinimi specifik i vaksinave. Por kjo gjë mund të ndodhë vetëm nëse ekziston një plan global, që të përfshijë një afat kohor për shpërndarjen e dozave të vaksinave në të gjitha vendet, një plan logjistik për transportimin e vaksinave, një plan zbatimit brenda çdo vendi, dhe një plan financimi.
Situata është veçanërisht urgjente në Afrikë, ku vetëm rreth 16 milion njerëz, ose vetëm 2 për qind e popullsisë së rritur, ishin vaksinuar plotësisht deri më 30 qershor. Kjo shifër është shumë e ulët, sidomos në krahasim me normat e vaksinimit të plotë të 17 për qind të të rriturve në mbarë botën në popullatën jashtë Afrikës, dhe me niveley shumë më të larta të vaksinimit në vendet prodhuese të vaksinave:57 për qind e popullsisë së rritur në SHBA, 59 për qind në Britani, 40 për qind në BE, 15 për qind në Rusi, dhe 6 për qind në Indi deri më 30 qershor, dhe 19 për qind në Kinë deri më 10 qershor.
Rreziqet në nivel global janë të mëdha. Varianti Delta po përhapet me shpejtësi në Afrikë, duke rrezikuar të shkaktojë një katastrofë të madhe, në rast se nuk përshpejtohet fushata e vaksinimit. Task Forca e Komisionit Lancet mbi Covid-19 në Afrikë, ka lëshuar një apel urgjent për shpërndarjen e të paktën 300 milion doza vaksine për Afrikën.
Për më tepër, së shpejti mund të shfaqen variante të tjera reja, me një aftësi më të madhe për të shmangur vaksinat ekzistuese. Dhe lëvizja globale kundër vaksinave, dhe fushatat e dezinformimit kanë nxitur hezitimin ndaj vaksinave, gjë që do të thotë që edhe kur dozat të jenë në dispozicion, do të ketë jo pak njerëz që do të refuzojnë të vaksinohen.
Pra me pak fjalë, në raport me pandeminë ne jemi ende shumë të pasigurt kudo në botë. Katër milion vdekjet e konfirmuara nga Covid-19 deri më sot (shifrat e tepërta të vdekjeve, tregojnë se vdekjet nga koronavirusi janë ndoshta shumë herë më të larta), janë rezultati tragjik i dështimit të botës për t’iu kundërpërgjigjur me qartësi, bashkëpunim dhe dhembshuri pandemisë së Covid-19.
Premtimi i G7-ës në samitin e muajit të kaluar për të dhuruar 870 milionë doza, të mjaftueshme për të imunizuar plotësisht rreth 435.000.000 njerëz, mbetet shumë më i vogël sesa kërkon një plan global. Është e domosdoshme që G20-a të bashkohet dhe të veprojë me urgjencë për të siguruar vaksinat e nevojshme. Shëndeti i botës, varet nga ajo që do të ndodhë këtë javë në Venecia.
Shënim: Jeffrey D.Sachs, profesor në Universitetin e Kolumbias, SHBA. Ka shërbyer si këshilltar i tre sekretarëve të përgjithshëm të OKB, aktualisht këshilltar i kreut aktual António Guterres. Juliana Bartels, asistente speciale e Drejtorit në Qendrën për Zhvillim të Qëndrueshëm në Universitetin e Kolumbias.