Qytetarë të shumtë, familje të viktimave, miq dhe të afërm, të cilët u mblodhën para ndërtesës së Presidencës, shoqëruan të dashurit e tyre me lot duke lexuar Fatiha për shpirtrat e tyre
Kolona e pikëllimit me arkivolet e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë mbërriti në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, Sarajevë, ashtu sikur edhe vitet e kaluara ajo ndaloi para ndërtesës së Presidencës së BeH, ku për t’i nderuar kishin dalë familjarët e viktimave të gjenocidit dhe një numër qytetarësh, raporton Anadolu Agency (AA).
Kolona më pas do të vazhdojë rrugën për në Potoçari, ku të dielën më 11 korrik do të falet namazi i xhenazes dhe do të varrosen në Kompleksin e Qendrës Memoriale Potoçari-Srebrenicë.
Para ndërtesës së Presidencës së BeH, në përcjelljen e viktimave të Srebrenicës, përveç qytetarëve të shumtë, të pranishëm ishin anëtarët e Presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviç dhe Zheljko Komshiç, kryetari i Dhomës së Popujve të Asamblesë Parlamentare të BeH-së, Bakir Izetbegoviç, Reis-ul-ulemaja i Bashkësisë Islame në BeH, Husein Kavazoviç, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, nënkryetarja e entitetit të Federatës së BeH, Melika Mahmutbegoviç, ambasadori i Turqisë në BeH, Sadik Babur Girgin, përfaqësues të shumtë të tjerë të niveleve të ndryshme të qeverisë dhe qytetarëve.
Në rrugën kryesore në Sarajevë mbizotëroi heshtja kur u shfaq autokolona me arkivole. Qytetarë të shumtë, familje të viktimave, miq dhe të afërm, të cilët u mblodhën para ndërtesës së Presidencës, shoqëruan të dashurit e tyre me lot duke lexuar Fatiha për shpirtrat e tyre. Shumë qytetarë gjithashtu iu afruan kamionit me eshtrat dhe u bënë homazhe viktimave të gjenocidit me një lule.
Qytetarë të shumtë të Sarajevës u mblodhën përgjatë rrugës qendrore të qytetit me lule në dorë për të nderuar viktimat e gjenocidit.
Autokolona me arkivolet mëngjesin e sotëm u nis nga Visoko ku u bë identifikimi i mbetjeve mortore të gjetura në varreza masive nga lufta e fundit në BeH 1991-1995 ndërsa në orët e pasdites pritet të mbërrijë në Potoçari.
Në sulmin ndaj “enklavës së mbrojtur të OKB-së” në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, të kryer nga njësitë e ushtrisë së atëhershme të Republikës Sërpska nën komandën e të dënuarit të Hagës, Ratko Mlladiç, më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë dhe dhjetëra mijëra gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan ose u detyruan të kërkonin strehim në pyjet përreth, duke kërkuar rrugën për të arritur në territorin në zonën e lirë të Tuzllës.
Azmir Osmanoviç është viktima më e re, eshtrat e të cilit do të varrosen më 11 korrik të këtij viti në një funeral kolektiv në varrezat e Qendrës Përkujtimore Potoçari-Srebrenicë. Qetësinë do të gjejë edhe i mituri tjetër, Fikret Kiveriç, i cili ishte 17 vjeç në kohën kur u vra, do të gjejë paqen e fundit këtë vit. Këtë vit, edhe një vajzë, Zilha Deliç, do të gjejë paqen e fundit. Në kohën kur u vra ajo ishte vetëm 24 vjeçe.
Deri më tani, janë varrosur 6.652 viktima të gjenocidit të kryer në korrik 1995 në Qendrën Përkujtimore Potoçari të Srebrenicës ndërsa 237 viktima të tjera të gjenocidit janë varrosur në vende të tjera, sipas dëshirave të familjeve të viktimave. Kërkimet vazhdojnë edhe për rreth 1.000 viktima të tjera të gjenocidit.