“Sot shënohet 26-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë e Hercegovinë. Ky ishte një nga krimet më të mëdha në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Raab
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dominic Raab tha se gjenocidi në Srebrenicë ishte një nga krimet më të rënda që kanë ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raab ishte një nga folësit në ceremoninë kombëtare të shënimit të Ditës së Përkujtimit të Srebrenicës në Britani të Madhe.
“Sot shënohet 26-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë e Hercegovinë. Ky ishte një nga krimet më të mëdha në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore. Në operacionin e planifikuar u vranë më shumë se 8.000 njerëz, kryesisht muslimanë dhe burra. Mbi 20.000 gra dhe fëmijë ishin dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre. E paimagjinueshme, sot ne i kujtojmë ata”, tha Raab.
Ai theksoi se sot “ne me pikëllim kujtojmë viktimat e këtyre ngjarjeve të tmerrshme dhe qëndrojmë pranë familjeve në luftën e tyre për drejtësi”.
Të enjten, organizata “Remembering Srebrenica” organizoi një ceremoni kombëtare duke shënuar Ditën e Përkujtimit të Srebrenicës në Britaninë, e cila këtë vit u transmetua plotësisht përmes internetit.
Ceremonia kombëtare në Britani u ndoq nga anëtari i Presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviç, sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, kryeministrja skoceze Nicola Sturgeon, kryeministri i Uellsit, Mark Drakeford, udhëheqës politikë nga e gjithë Britania dhe të mbijetuarit e gjenocidit dhe spastrimit etnik.
Presidenti i “Remembering Srebrenica”, Waqar Azmi tha se ngjarja përkujtimore u mbështet nga “organizata ndërpartiake dhe ndërqeveritare” nga Westminster, Skoci, Uells dhe Irlanda e Veriut.