Një operacion i befasishëm është realizuar ditën e sotme nga SPAK ku në shënjestër ka pasur disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara. Në hetim të Prokurorisë së Posaçme ka qenë një tender për uniformat e policisë me vlerë 25 milionë Euro.
Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, ka raportuar se është ekzekutuar urdhri i ndalimit për 9 zyrtarë. Arrest me burg është vendosur për 8 prej tyre, më konkretisht për Edlira Naqellarin, Kreshnik Bejkajn, Ani Omurin, Klevis Hasanin, Flutura Çekrezin, Fatmir Demnerin, Gëzim Mingajn dhe Mariglen Buzalin. Për Anisa Bogdanin është vendosur arrest shtëpie.
Edlira Naqellari ka qenë drejtoreshë pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara dhe vetëm 8 ditë më parë është shkarkuar nga posti nga ministri Bledi Çuçi. Këtë post Naqellari e mbante prej 3 vitesh.
Hetimet nga SPAK kanë nisur pas një padie nga dy deputetë të opozitës, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri. Mes pikave që janë kërkuar të hetoheshin nga deputetët ishte dhe fakti që një kapele e policisë kushtonte 350 Euro. Po ashtu kompania që ishte shpallur fituese nuk kishte të bënte me aktivitet në fushën e rrobaqepësisë, por ishte një kompani që kishte të bënte me aktivitet në fushën e gërmimeve.Në bazë të këtyre pretendimeve SPAK ka nisur hetimet duke bërë të mundur evidentimin e shkeljes së barazisë në tendera.
Bajraktaraj raportoi se kontrollet nga policia janë kryer gjatë natës për të mos dekonspiruar operacionin. Aksioni ka qenë i befasishëm dhe autoritetet kanë zbarkuar në shtëpitë e të akuzuarve. SPAK nuk ka publikuar ende një njoftim zyrtar, por mësohet se një prej personave është shpallur në kërkim./tvklan.al