Prurja e yjeve botërore të muzikës në Kosovë në kuadër të Festivalit “Sunny Hill”, bëhet me qëllim që të promovohet para botës rinia kreative e Kosovës.
Kështu ka deklaruar Dukagjin Lipa, organizator i festivalit, në një konferencë për media.
Këngëtarja me famë botërore Miley Cyrus, DJ Calvin Harris e reperi shqiptar në Amerikë, Gashi, do të jenë tre yjet kryesore në tre netët e sivjetme të festivalit më 2/3/4 gusht në Gërmi.
“Kemi rini kreative, proevropiane. Kemi qëllim që yjet botërore që vijnë dhe të tjerët që vijnë për ta, të shohin çfarë rini kreative e të mirë kemi e sa dinë të bëjnë qejf në festival”, ka thënë Lipa.
Ai ka thënë se synojnë që çdo vit në Prishtinë të sjellin yje botërore e të rriten si festival.
Ka paralajmëruar se ky është edicioni i fundit që festivali mbahet në parkun e Gërmisë.
Sipas Lipës, yjet e botës po e njohin Kosovën edhe për shkak të këtij festivali, pos asaj si vend nga ku vijnë yjet botërore si Dua Lipa, Rita Ora e Era Istrefi./Koha net/