Kundërshtimin e taksës prej 5 euro për regjistrimin e veturave përmes një aksioni e ka shprehur Partia Socialdemokrate. Kjo parti thotë se po zhvatet buxheti me këtë pagesë, përgjegjëse e së cilës është zgjedhur një kompani, sipas saj, pa konkurrencë.
“Mbi 2 milionë euro në vit një kompanie private. Pa konkurencë. Monopol. Çmim 5 fish më të shtrenjtë, 90% e të cilit është fitim për kompaninë. Kompani me 3 punëtorë. Arsyetimi? Skandaloz. E paska nisur qeveria e kaluar. Pra këta qenkan vetëm vazhdimësi, jo ndryshim. Këtë na e tha Hysen Durmishi dje. Këtë po e thotë Albin Kurti përditë”, thuhet në njoftimin e PSD-së.
Në veturat qeveritare, PSD-ja ka vendosur “tiketa” me mbishkrimin “zhvatës” dhe po ashtu edhe me sprej nëpër vetura.
Sipas njoftimit, të arrestuar përveç kryetarit Molliqaj, janë edhe anëtarët Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça.
Nga kjo parti kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Njoftimi i plotë:
Gjatë aksionit të sotëm për të shfaqur zhvatjen që pushteti i Kurtit po e bën ndaj qytetarëve, duke taksuar shtesë regjistrimin e makinës e duke krijuar monopol për një kompani, policia ndërhyri dhunshëm për ta ndërprerë aksionin duke arrestuar e lënduar brutalisht aktiviste e aktivistë të PSD-së.
Policia, nën urdhërat e Kurtit, me përdorim brutal të dhunës po dëshiron të shtyp këdo që kundërshton atë. Zhvatja ndaj qytetarëve nuk guxon të kaloj heshtur e nën kërcënimin e dhunshëm e brutal të pushtetit.
Kërkojmë urgjentisht që aktivistet e aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça të lirohen menjëherë nga arrestimi i padrejtë.