Presidenti amerikan Joe Biden, ka deklaruar të enjten se Kuba është “një shtet i dështuar” dhe e ka quajtur komunizmin “sistem të dështuar”.
Kjo deklaratë e Bidenit ka ardhur si reagim ndaj protestave që kanë shpërthyer kundër regjimit shtypës në Karaibe.
Gjatë një konference për media me kancelaren gjermane, Angela Merkel, Bideni ka thënë se SHBA-ja nuk po konsideron rikthimin e dërgesave monetare nga SHBA-ja në Kubë, që është një praktikë e amerikanëve për të transferuar para tek të afërmit e tyre në këtë shtet. Bideni ka shfaqur shqetësimet me këtë rast se regjimi i komunizmit në Kubë mund t’i konfiskojë këto fonde.
“Kuba është fatkeqësisht një shtet i dështuar i cili shtyp qytetarët e saj. Janë disa gjëra që duhet t’i kemi parasysh për të ndihmuar njerëzit në Kubë mirëpo kjo kërkon një rrethanë tjetër ose garanci se atyre nuk do t’u merren të mirat nga qeveria. Për shembull, mundësia e dërgimit sërish të remitencave në Kubë. Ne nuk duhet ta bëjmë këtë sepse është shumë e mundshme që regjimi do t’i konfiskonte ato”, është shprehur Bideni.
Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët për mendimin që ka për komunizmin, Bideni tha se “ai është një sistem i dështuar.
Mijëra kubanë kanë dalë në rrugë në të gjithë vendin fundjavën e kaluar për të protestuar ndaj mungesave kronike të mallrave bazë dhe kufizimeve të lirive civile.