Ministri britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid është vetëkarantinuar pasi ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Përmes një deklarate të postuar në rrjetin social, Twitter, Javid njoftoi se ishte në pritje të rezultateve të testit të plotë PCR, ndërkohë që deri tani po përjeton simptoma të lehta të infeksionit.
“Mëngjesin e sotëm rezultova pozitiv me Covid. Jam në pritje të rezultatit të testit PCR, por, fatmirësisht, i kam bërë dy dozat e vaksinës dhe simptomat janë të lehta”, tha ai.
“Ju lutem sigurohuni që të paraqiteni për vaksinim, nëse nuk e keni bërë ende”, shtoi Ministri i Shëndetësisë.
Njoftimi për infektimin e Ministrit të Shëndetësisë bëhet i ditur në një kohë kur qeveria britanike bëhet gati të heqë masat e fundit kufizuese në Angli të hënën e ardhshme, pavarësisht hezitimit të disa prej shkencëtarëve kryesorë të vendit.


