Edhe nëntë raste me koronavirus u konfirmuan nga organizatorët e Lojërave Olimpike në Tokio, vetëm tri ditë para nisjes së tyre.
Sipas raportit ditor të organizatorëve, të publikuar të martën në mëngjes, në mesin e rasteve të reja është edhe një atlet.
Komiteti Olimpik i Republikës Çeke konfirmoi se lojtari i volejbollit çek në plazh, Ondrej Perusic, u diagnostikua me koronavirus.
Shifrat e fundit e çojnë në së paku 71 numrin e rasteve që lidhen me Lojërat Olimpike. Së paku katër raste u regjistruan brenda Fshatit Olimpik.
Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020” nisin më 23 korrik dhe përfundojnë më 8 gusht. Disa ditë më pas, më 24 gusht, nisin Lojërat Paralimpike.
Këto kanë qenë të parapara të mbahen vitin e kaluar, por janë shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Në përpjekje për të mbajtur situatën nën kontroll, Tokio ka shpallur gjendje emergjente dhe ngjarjet olimpike atje dhe në një rajon tjetër do të mbahen pa spektatorë.
Infeksionet e reja me koronavirus kanë nisur të rriten në gjithë Japoninë qysh në fund të qershorit.