Sun Dawu, miliarderi i mirënjohur kinez i cili udhëheq një prej bizneseve më të mëdha private në sektorin e bujqësisë në provincën Hebei, është dënuar me 18 vjet burg.
67-vjeçari ka folur në të kaluarën për të drejtat e njeriut dhe çështje tjera të ndjeshme politike.
Ai është gjetur fajtor “për provokime të konflikteve”, një akuzë që shumë shpesh shfrytëzohet kundër aktivistëve.
Akuzat tjera kundër tij janë edhe për pushtim të paligjshëm të tokës bujqësore, si dhe për pengim të punëtorëve qeveritarë që të kryejnë punën e tyre.
Veç heqjes së lirisë, ai është dënuar edhe me 478,697 dollarë amerikanë.
Sun u ndalua vitin e kaluar bashkë me 20 familjarë dhe bashkëpunëtorë biznesi, për shkak të disa mospajtimeve për një tokë bujqësore të Qeverisë.
Sun besohet se është i afërt me disa disidentë politikë kinezë dhe ka kritikuar në të kaluarën politikat rurale të Qeverisë.
Ai ka qenë një prej personave të paktë që ka akuzuar Qeverinë për fshehje të gripit afrikan, që ka prekur fermat e tij më 2019, dhe më pas ka dëmtuar një pjesë të mirë të industrisë shtetërore.
Sun gjithashtu u dënua me burg në 2003, për “mbledhje të paligjshme të fondeve”, por çështja u rrëzua pas një mbështetje të madhe nga aktivistët dhe publiku.
Miliarderi thuhet se mohoi shumë prej akuzave kundër tij në një seancë paraprake, duke e përshkruar veten si një “anëtar i shquar i partisë Komuniste”.
Ai megjithatë thuhet se pranoi se kishte bërë gabime, përfshirë postimin e mesazheve në internet.
“Mënyra se si po më hetojnë tani bën që të vuajnë ata që janë afër meje dhe të gëzohen ata që më urrejnë. Dëshiroj të marr akuzat përsipër, edhe nëse ato janë të rënda, në këmbim të lirimit të të tjerëve. Ne jemi njerëz të cilët kanë dhënë kontribute në shoqëri, “tha ai.
Kina prej kohësh ka shtypur bizneset dhe sipërmarrësit e këtij shteti, raporton BBC.
Kompani të mëdha teknologjike, duke përfshirë ato si Alibaba, Didi dhe Tencent, janë duke u hetuar për një mori çështjesh rregullative.