Përkthyes afganë që ndihmuan forcat ushtarake britanike gjatë angazhimit të tyre në Afganistan kanë mbërritur të shtunën në Britaninë e Madhe. Kjo pasi që Qeveria britanike u siguroi strehim nga frika se mund të sulmohen apo të vriten nga talebanët që i akuzojnë ata si bashkëpunëtorë të forcave armiqësore.
Mbi 1 mijë e 400 përkthyes afganë dhe familjarë të tyre tanimë janë zhvendosur në Britani, në kuadër të një skeme të evakuimit. Qeveria njoftoi se edhe 3 mijë të tjerë pritet që të arrijnë në vend, si pjesë e rregullave të reja që e lehtësojnë ardhjen e tyre bashkë me familjarët. Para tërheqjes muajve të fundit, Britania e Madhe ka pasur më shumë se 10 mijë trupa të stacionuara në Afganistan, kryesisht në krahinë Helmand.