Xhudistja kosovare, Loriana Kuka, e ka siguruar një vend në finalen e garës Grand Prix në Tel Aviv të Izraelit, në kategorinë e peshave -78 kilogramëshe, pasi e mposhti xhudisten angleze, Natalie Powell, në gjysmëfinale.
Kosovarja arriti ta mposhtë rivalen e saj, Powell, duke e fituar ndeshjen me ippon dhe e siguroi një vend në finale të kësaj gare.
Me këtë fitore, Kuka e ka siguruar medaljen e argjendtë, mirëpo në finale do ta ketë mundësinë ta fitojë edhe medaljen e artë.
Para kësaj ndeshjeje, në çerekfinale të kësaj gare, Kuka arriti ta fitojë ndeshjen kundër xhudistes nga Rusia, Aleksandra Babinsteva, të cilën e mposhti me rezultat teknik 1-0.
Për t’u kualifikuar në çerekfinale, Kuka e kishte mposhtur, këtë herë me ippon, xhudisten nga Holanda, Ilona Lucassen. Të dyja këto xhudiste ishin kualifikuar automatikisht në rrethin e dytë të kësaj gare.
Në finale, Kuka do të ndeshet me xhudisten e cila e fiton ndeshjen tjetër gjysmëfinale. Kundërshtare e kosovares mund të jetë ose xhudistja nga Portugalia, Patricia Sampaio, ose xhudistja nga Sllovenia, Klara Apotekar.
Kuka do të tentojë t’ia sigurojë Kosovës medaljen e dytë të artë në këtë garë, pasi Majlinda Kelmendi arriti ta fitojë garën në kategorinë e peshave -52 kilogramë. Kelmendi i fitoi të katër ndeshjet e zhvilluara me ippon.