Kopenhaga është shpallur qyteti më i sigurt në botë, sipas hulumtimit të revistës Economist.
Në listën e qyteteve më të sigurta në botë nga revista Economist, kryeqyteti i Danimarkës shënoi 82.5 nga 100 pikë. Menjëherë pas Kopenhagës renditet Toronto dhe Singapor, shkruan CNBC.
Në edicionin e tij të katërt, përveç kategorive të dixhitalit, shëndetit, infrastrukturës dhe sigurisë personale, ‘Indeksi i Sigurisë Urbane’ (shkenca) për herë të parë përfshin faktorin e sigurisë mjedisore, i cili u shtua në përgjigje të ndryshimeve globale të klimës.
Plot 60 qytete u renditën, sipas 76 faktorëve të sigurisë, për të marrë një pamje të sigurisë urbane botërore. “Pandemia e COVID-19 ka prekur jo vetëm sigurinë globale të shëndetit, por edhe nocionin e sigurisë urbane, si dhe të gjitha aspektet e tij”, tha drejtori i këtij projekti, Pratima Singh.
Lista e dhjetë qyteteve më të sigurta në botë: Kopenhaga (Danimarka), Toronto (Kanada), Singapor, Sidney (Australia), Tokio (Japonia), Amsterdam (Holanda), Wellington (Zelanda e Re), Hong Kong, Melbourne (Australia) dhe Stokholm (Suedia).
Qytetet më të pasigurta në botë janë: Lagos (Nigeri), Kajro (Egjipt), Karakas (Venezuela), Karaçi (Pakistan) dhe Rangoon (Mianmar).
Singh tha se këta tregues duhet t’i kujtojnë qeverive nevojën për investime shtesë në masat e sigurisë, veçanërisht në vendet e paqëndrueshme politikisht dhe ekonomikisht.