Miliona amerikanë nuk mund të paguajnë qiranë për shkak të pandemisë COVID-19. Një moratorium i autoriteteve shëndetësore i mbronte ata deri tani nga dëbimi prej shtëpiv, por Gjykata e Lartë po bllokon zgjatjen e tij.
Më shumë se 10 milionë amerikanë nuk janë në gjendje të paguajnë qiranë, thuhet në një studim të Institutit për Kërkime Sociale “Center on Budget and Policy Priorities”.
Rreth 3.6 milionë prej tyre nuk përjashtojnë mundësinë që tani të marrin njoftimin me shkrim që i informon për datën e dëbimit nga shtëpia.
Shkak për këtë është se Gjykata e Lartë e SHBA-së ka bllokuar një moratorium që mbron qiramarrësit që nuk janë në gjendje të paguajnë qiranë nga procedurat e dëbimit gjatë pandemisë. Nëntë gjyqtarët, kryesisht konservatorë, argumentuan se një shtyrje mbarëkombëtare e këtij moratoriumi ka nevojë për miratimin e Kongresit.
Sidoqoftë në fillim të gushtit autoriteti shëndetësor amerikan CDC e zgjati moratoriumin përkatës, i cili ishte vendosur që nga shtatori 2020.
Kreu i autoritetit Rochelle Walensky e justifikoi hapin me rritjen e shpejtë të infeksioneve të COVID-19 nga varianti Delta. Republikanët opozitarë në Kongres nuk ishin të gatshëm ta mbështesnin një vendim të tillë. Nancy Pelosi, zëdhënëse e Dhomës së Përfaqësuesve, e quajti bllokimin “një akt të madh mizorie”.
Ndërsa, ekonomia amerikane në përgjithësi po rimëkëmbet, qiratë janë rritur në një nivel të ri rekord. Qiratë mujore u rritën me më shumë se tetë përqind vetëm midis qershorit 2020 dhe qershorit 2021. Njerëzit me vende pune të pasigurta, me pak arsim si dhe pakicat janë ndër ata që gjithnjë e më tepër nuk janë në gjendje për të përballuar kostot në rritje të strehimit.
Pamja e shumë qyteteve amerikane si San Francisko, Seattle, Los Angeles, Washington ose New York ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga fillimi i pandemisë COVID-19. Parqet dhe hapësirat e gjelbra, si dhe trotuaret, janë shndërruar në kampe shatorësh për ata që nuk kanë më çati mbi kokë.