Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Azi, Filip Riker porositi opozitën që t’i japë fund lojërave politike dhe të mos i bllokojë proceset.
Riker porositi VMRO-DPMNE-në që të jetë konstruktive në proces dhe të mos rrezikojë reformat dhe datën për bisedime. Sipas Riker, nga Ligji për Prokurorinë Publike varet e ardhmja e vendit dhe perspektiva e qytetarëve.
“Roli i opozitës është krucial por ata duhet të jenë konstruktiv. Koha e lojërave politike, vendnumërimit dhe lojërat me ndjenjat e qytetarëve ka mbaruar. Mesazhi im është i thjeshtë: Është koha për t’u bërë bashkë dhe për të menduar për të mirën e vendit. Maqedonia e Veriut është duke ecur para në realizimin e qëllimeve që kanë qenë të zvarritura me dekada si proceset euroatlantike: anëtarësimi në NATO dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE”, tha Filip Riker, Ndihmës sekretar amerikan i shtetit për Evropë dhe Azi.
Edhe pse pritej që porosia e Riker t’i përafrojë qëndrimet mes pushtetit dhe opozitës, kjo e fundit doli me vendim të prerë. VMRO-DPMNE-ja nuk pajtohet me propozimin e pushtetit mbi Ligjin për Prokurorinë Publike. Hristijan Mickoski mohoi se bën lojëra politike, duke shtuar se pas takimit me Riker, ky i fundit do ta kuptojë të vërtetën rreth lojërave politike.