Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllime familjes Daci për vdekjen tragjike të familjarit të tyre, Arian Dacit, i cili humbi jetën nga rënia e ortekut të borës në Brezovicë.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se me pikëllim të madh e ka pranuar lajmin për vdekjen tragjike të zëvendësministrit, Arian Daci.
“Me pikëllim të madh kam pranuar lajmin për vdekjen tragjike të zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci, djalit të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe mikut tim, Nexhat Daci. Në këto momente shumë të rënda, si President dhe mik i familjes, në emrin tim dhe qytetarëve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta kryetarit Daci dhe familjes së tij”, ka shkruar Thaçi.
Arian Daci humbi jetën sot nga rënia e një orteku të borës në Brezovicë. Bashkë me Dacin, orteku e ka zënë edhe Ardian Bakallin, i cili ka shpëtuar. Daci ishte edhe Zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës.