Shkalla e lartë e vaksinimit ia mundësoi Danimarkës për t’u bërë një ndër shtetet e para të Bashkimit Evropian për t’i larguar të gjitha masat kufizuese, 548 ditë pas fillimit të zbatimit të tyre me qëllim të kufizimit të përhapjes së virusit.
Kthimi në normalitet ka qenë gradual, por duke filluar nga e premtja, e ashtuquajtura pasaportë digjitale – dëshmi për vaksinim – nuk do të kërkohet më për të hyrë në klube nate, shkruan The Guardian.
Më shumë se 80 për qind e popullsisë mbi moshën 12-vjeçare në shtetin skandinav janë vaksinuar me të dyja dozat, prandaj qeveria daneze deklaroi se nuk e cilëson Covid-19-shin më si sëmundje kritike sociale.
“Nuk do të thosha që është shumë herët. E kemi hapur derën, por gjithashtu kemi thënë se mund ta mbyllim, nëse është e nevojshme”, tha Soren Riis Paludan, profesor i virologjisë në Universitetin Aarhus.
Që nga 14 gushti, përdorimi i maskave në transportin publik nuk është më i detyrueshëm. Më 1 shtator, u rihapën klubet e natës, u larguan kufizimet për tubime publike dhe u largua kërkesa për ta dëshmuar vaksinimin për të hyrë në restorante.
Sidoqoftë, përdorimi i maskave është ende i detyrueshëm në aeroporte dhe njerëzit këshillohen që ta përdorin atë edhe kur të shkojnë për t’u kontrolluar te mjeku, në qendra të testimeve dhe spitale.