Partia që mbështet presidentin Putin ka fituar edhe një mandat të ri pesëvjeçar pas gati 2 dekadash në pushtet. Opozita nuk u lejua të marrë pjesë e tëra ndërsa në terren nuk ishte as OSBE-ja për të monitoruar procesin.
Partia për “Rusinë e Bashkuar” e presidentit Vladimir Putin arriti të dielën fitoren në zgjedhjet parlamentare.
Në përfundim të tri ditëve garë politike, partia që mbështet presidentin fitoi gati 50 për qind të votave.
“Fitorja ishte e ndershme dhe e pastër,” deklaroi sekretari i partisë.
Rezultatet paraprake nxorën komunistët të dytët me rreth 20 për qind, dhe dy vendet e mëpasme u zunë nga grupet nacionaliste dhe patriote.
Pjesa më e madhe dhe më e fortë e opozitës mbeti jashtë garës pasi autoritetet i shpallën ekstremiste grupimet mbështetëse të opozitarit rus, Aleksei Navalni, i cili mbetet në burg.
Mbi 100 milionë rusë u ftuan të votojnë për 450 deputetët e Dumës, që është dhoma e ulët legjislative e parlamentit.
Presidenti Putin votoi nga interneti për shkak se qëndron në karantinë pas infektimit të vartësve me Covid-19.
Vëzhguesit e pavarur vendorë thanë se procesi u zhvillua me disa parregullsi, ndërsa në terren munguan monitoruesit e OSBE-së.
“Rusia e Bashkuar” mban shumicën parlamentare që prej vitit 2003, ndërkohë prej 21 vitesh mban pushtetin presidenti Putin, i cili ka edhe të drejtën ligjore ta ushtrojë atë deri në 2036-ën.