Tifozët e futbollit në Kore të Jugut po marrin masa ligjore për të kërkuar kompensim, pasi që Cristiano Ronaldo nuk u aktivizua në miqësoren parasezonale të Juventusit javën e kaluar në Seul.
Ronaldo ishte kontraktuar të luante së paku 45 minuta kundër K League All Stars, sipas organizatorëve të ngjarjes “The Fasta Inc”, por qëndroi në bankinë gjithë lojën në stadiumin e stërmbushur në Seul.
Një komunitet online i formuar në Kore të Jugut për të protestuar ndaj mosaktivizimit të Ronaldos ka kontaktuar avokatin Kim Min-ki për të bërë padi ndaj organizatorëve të ndeshjes.
“Shumica kanë blerë bileta për të parë Ronaldon. ‘The Fasta’ ka proklamuar se kompania ka marrëveshje me Juventusin që e shtyn Ronaldon të luajë së paku 45 minuta dhe se Ronaldo do të mbajë edhe një seancë ku do të japë autografe për tifozët”, ka thënë Kim.
Në padi kërkohen 53.2 euro për çdo biletë dhe po ashtu 760 euro kompensim për çdo tifoz për vuajtjen mentale.