Analisti Ben Andoni i ftuar në studion e RTV Ora me gazetarin Sebastian Zonja u shpreh se Kosova duhet të jetë më e kujdesshme për të ardhmen pasi SHBA dhe NATO nuk mund të jenë përjetësisht në kontakt me Kosovën.
“Unë mendoj që Kosova duhet të jetë e kujdesshme për të ardhmen, por më e kujdesshme duhet të jetë Shqipëria sepse historia na tregon që qoftë SHBA por edhe NATO nuk mund të jenë përjetësisht në kontakt“, tha Andoni.
A e kanë fuqinë amerikanët që t’i vendosin pikat mbi “i” në marrëdhënien shqiptaro-sebre?
Andoni u shpreh se Amerika ka fuqi deri në pjesën e interesit të saj. Sipas tij, Serbia ka një marrëdhënie shumë më të përmirësuar me SHBA.
“Ata kanë fuqi deri në pjesën e interesit të tyre. Interesi i tyre është i ngërthyer, interesi ekonomik është paralel me interesin politik. Serbia më duket gjithë këto vite jo vetëm është e përkëdhelura e BE, por gjithmonë e më shumë ka një marrëdhënie shumë më të përmirësuar me SHBA se sa ne e mendojmë. Në asnjë moment nuk kemi parë diskurs agresiv nga ana e SHBA-së përveç thirrjes së dy palëve që të ulen. Në mendimin tim, zoti Kurti ka vepruar mirë”, tha Andoni.
Rama vizitoi Kosovën dje (27 shtator) dhe mbajti një konferencë të përbashkët për shty me homologun e tij, Albin Kurti. Sipas zotit Andoni, Kosova gjithnjë e më shumë nuk e shikon si vendin amë Shqipërinë.
“Zoti Rama dje më shumë ka përcjellë fuqinë e vendit amë, atë që ne na mungon dhe që edhe nën drejtimin e tij Shqipëria nuk e ka treguar dhe për fatin e keq edhe zoti Kurti me gjithë retorikën bashkuese që ka mbajtur para ardhjes si kryeministër nuk e ka respektuar shumë. Shqipëria gjithnjë e më shumë nuk shikohet si vendi amë në Kosovë. Zoti Rama përdori metaforën e vëllait të madh, ndërsa zoti Kurti ishte gjithnjë e më i ftohtë në protokollin e tij për ta pritur këtë marrëdhënie“, tha Andoni.
I pyetur nëse ka marrë fund ftohja mes Ramës dhe Kurtit, Andoni u shpreh se të dy kryeministrat kanë ego pushteti, por Rama tashmë ka arritur ego ndërkombëtare.
“Nuk e besoj sepse të dy kanë ego shumë të madhe pushteti, zoti Rama pothuajse e ka ushqyer tani egon e pushtetit. Besoj se tani duhet të ketë ego ndërkombëtare. Zoti Kurti akoma nuk e ka arritur atë. Gjithmonë e më shumë Kosova ka një sens për t’u larguar nga Shqipëria“, tha Andoni.
Andoni u shpreh në fund të intervistës se ne duke ju referuar Shqipërisë dhe Kosovës jemi një.