Një zyrtar i lartë amerikan të martën kërkoi falje në Haiti për trajtimin që iu bë imigrantëve haitianë në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, duke thënë se ajo që është parë nuk e paraqet sjelljen e zyrtarëve kufitarë apo Departamentit për Sigurinë e Atdheut.
Këto komente i bëri Juan Gonzalez, drejtor i lartë për Hemisferën Perëndimore në Këshillin për Siguri Kombëtare, i cili zhvilloi një vizitë dyditore në Haiti për të biseduar me udhëheqësit lokalë rreth imigrimit dhe temave tjera.
“Dua të them se ishte padrejtësi, se ishte gabim. Populli krenar i Haitit dhe secili imigrant meriton që të trajtohet me dinjitet”, deklaroi Gonzalez.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ditëve të fundit është kritikuar ashpër për trajtimin e imigrantëve nga Haiti, pas publikimit të fotografive ku oficerët amerikanë shiheshin të hipur në kuaj duke dëbuar njerëz me ngjyrë drejt një lumi kufitar.
Gonzalez tha se grumbullimi i imigrantëve përgjatë kufirit është emergjencë e shëndetit publik dhe i paralajmëroi që ata po mendojnë të ikin nga vendi që të mos e rrezikojnë jetën e tyre. “Rreziku është shumë i madh”, tha ai.
Vizita e zyrtarit të lartë në shtetin e goditur nga trazirat sociale e politike u bë në kohën kur në ShBA po vazhdon dëbimi i imigrantëve haitianë. Sipas Departamentit për Sigurinë e Atdheut, vetëm nga 19 shtatori janë dëbuar rreth 4.600 imigrantë haitianë nga Teksasi përmes 43 fluturimeve.