Ka bërë bujë vendosja në krahët e Xherdan Shaqirit të një xhakete që kishte emblemën e UÇK-së, pas një ndeshjeje që përfaqësuesja e Zvicrës në futboll e zhvilloi të shtunën mbrëma. Për atë veprim raportuan mediume në vende të ndryshme të Evropës, ndërsa mediumet serbe, si zakonisht, nisën fushatë antishqiptare. Reagimi nuk u ndal vetëm te mediat.
Me një qëndrim zyrtar, absurd e të pavend, doli Federata e Futbollit e Serbisë. Federata serbe kërkoi reagimin e FIFA-s për Shaqirin. Madje kërkoi dënimin më të rëndë të mundshëm për të. Federatës së Futbollit të Serbisë i kanë penguar edhe panot e tifozëve shqiptarë të shfaqura në ndeshjen e shtunës Suedi – Kosovë.
Derisa serbët janë marrë me ndeshjet në Stokholm dhe Gjenevë, në këtë vend fqinj ka pasur shfaqje të tifozëve që janë të dënueshme nga të gjitha organizatat sportive.
Ishte ndeshja e hendbollit mes Cërvena Zvezdës së Beogradit dhe Novi- Pazarit, ku pati fyerje e kërcënime ndaj ekipit mysafir.
“Fashizmi në vepër”, kanë shkruar nga klubi Novi-Pazar, që është nga qyteti me emrin e njëjtë, në afërsi të kufirit me Kosovën dhe që banohet kryesisht nga boshnjakët.
“Skandal në ndeshjen me Cërvena Zvezdën. 60 minuta fyerje në baza nacionale për hendbollistët e Novi-Pazarit nga ana e huliganëve. Nëse nuk merren masa drastike ndaj delegatit të ndeshjes që ka heshtur për të gjitha këto, kryesia do të marrë vendim për atë nëse ia vlen të garohet atje ku shovinizmi dhe nacionalizmi promovohen publikisht”, ka shkruar klubi i Novi-Pazarit të dielën mbrëma, pas ndeshjes.
Ka pasur pano dhe thirrje për kriminelin serb, Ratko Mladiq, fyerje ndaj boshnjakëve në baza kombëtare dhe fetare përmes panove dhe thirrjeve të huliganëve të vendosur në tribunë. Është shfaqur nga tifozët e Zvezdës, “Delije”, një fjali me shkronja të mëdha, që klubi nga Novi Pazari e ka cilësuar “fashizëm”.
“Po të ndodhte kjo në Novi-Pazar do të burgoseshin të gjithë. Policia për ditë të tëra do të shikonte incizimet dhe do të burgoste të gjithë tifozët tanë. Do të reagonin prokuroria, gjyqtarët, Vulini, Blici, Informeri dhe të gjitha mediat”, ka shkruar në një reagim tjetër të klubit të hendbollit Novi-Pazar.
Në kor ka pasur thirrje: “Pazaras, pazaras, a na dëgjoni? Gjak serbi keni”.
Te klubi beogradas, i njohur edhe për qëndrimet antishqiptare, janë arsyetuar duke thënë se presioni ka zgjatur tre minuta dhe se më pas janë larguar panot. Te Cërvena Zvezda kanë theksuar se kanë pasur kërcënime nga Novi-Pazari.
Por ndryshe thonë në klubin Novi Pazari.
“Panoja me kapelën e Ratko Mladiqit ka qëndruar për 60 minuta në tribunë, ku ishin tifozët e Cërvena Zvezdës. Porosia në fillim të ndeshjes ishte qartë e shfaqur me përmbajtje fyese. Nuk bëhet fjalë për pano, por porosi dhe ajo është larguar kur e ka arritur efektin e jo kur dikush e ka larguar. Fyerjet kanë zgjatur 60 minuta”, thuhet nga Novi-Pazari.
Drejtuesit e Novi-Pazarit kanë mbajtur edhe një konferencë për shtyp, ku kanë paralajmëruar largimin nga liga e Serbisë.
“Në baza nacionale është fyer një popull i tërë dhe për këtë sot përmes një shkrese do të jap dorëheqje nga funksioni në bordin drejtues të Arkus Ligës dhe të Federatës së Hendbollit të Serbisë Qendrore. Ndoshta klubi ynë e paguan çmimin, por në Serbi nuk do të promovohet fashizmi. Nuk mund të heshtim”, ka thënë Husein Memiq i klubit Novi-Pazari.
Federata e Hendbollit e Serbisë ka dënuar çdo akt të provokimit, diskriminimit dhe fyerjes në baza nacionale, fetare dhe racore. Reagimi ka ardhur pasi për fyerjet e serbëve u raportua në të gjitha vendet e regjionit.
Jo rrallë ka incidente të tilla në sportin e Serbisë. Nuk mungojnë as fyerjet ndaj shqiptarëve në stadiume e palestra sportive. Shpesh ato kalojnë pa u vërejtur nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Serbisë, por edhe të federatave të tjera sportive në vendin fqinj.
Por Federatës së Futbollit të Serbisë i ka dalë kohë të merret me përkrahjen që kishte Kosova në Suedi dhe me xhaketën e vënë në krahët e Shaqirit, futbollisti më i mirë shqiptar.
“Po përgatisim letër proteste që do ta dërgojmë në FIFA. Do të kërkojmë reagim të menjëhershëm dhe sanksionet më të ashpra ndaj Shaqirit, për promovimin e organizatës terroriste ‘UÇK’ gjatë deklaratës për media, por edhe ndaj së ashtuquajturës Federatë të Futbollit të Kosovës për shfaqjen e panove ‘Kosova është Shqipëri’ në ndeshjen Suedia – i ashtuquajturi reprezentacion i Kosovës, dhe për propagandimin e idesë ‘Shqipëria e Madhe’”, ka thënë Jovan Shurbatoviq, sekretar i përgjithshëm i Federatës serbe. Kjo deklaratë është publikuar në faqen zyrtare të Federatës serbe.
Ka pak gjasë që FIFA ta marrë seriozisht kërkesën e Federatës, që është dënuar disa herë për fyerje ndaj shqiptarëve.