Afganistani po përballet me krizën më të madhe humanitare në botë. Në këtë shtet gjendja është bërë alarmante veçanërisht pasi talebanët kanë marrë kontrollin në gusht.
Fondet ndërkombëtare që i japin shtytje ekonomisë së brishtë në Afganistan janë ndaluar, ndërsa bota po debaton se si të merret me regjimin tabelan, raporton BBC.
Kombet e Bashkuara kanë lëshuar një paralajmërim të rëndë, se miliona do të vdesin në Afganistan nëse ndihmat nuk arrijnë në vend.
Një familje në Afganistan për BBC ka treguar se si është dashur ta shesë foshnjën për shkak të varfërisë ekstreme. Pasi po vdesin nga mungesa e ushqimit.
“Fëmijët e tjerë po vdesin nga uria, kështu që u desh ta shisnim vajzën. Si të mos jem e trishtuar? Është vajza ime. Uroj të mos isha e detyruar të bëja këtë”, ka thënë nëna e vajzës.
Ndërkohë babai i saj ka thënë se nuk po kanë fare ushqim dhe se është i detyruar ta bënte.
Personi që bleu vajzën i ka paguar atij më tepër se gjysmën e 500 dollarëve. Vajza do të qëndrojë te familja derisa të jetë në gjendje të ecë. Personi që e bleu i ka thënë familjes se vajza e vogël kur të rritet do të martohet me një nga fëmijët e tij.
Gazetarja e BBC-së ka treguar se si ka parë edhe raste tjera në Afganistan ku varfëria ka detyruar familjet që t’i shesin fëmijët. Madje ajo ka treguar se një person i është afruar asaj dhe e ka pyetur nëse dëshiron ta blejë një fëmijë.